Shërbimet policore të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në zbatim të planit të masave për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, kanë organizuar kontrolle të përbashkëta në terren, për evidentimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Si rezultat i kontrolleve të përbashkëta, gjatë 24 orëve të fundit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Recently”, janë evidentuar dhe goditur 4 raste të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, për të cilat janë arrestuar në flagrancë shtetasit E. C. 48 vjeç dhe E. Rr. 25 vjeç, banues në Tiranë; B. S. 62 vjeç, banues në Durrës.
Gjithashtu ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. T., 65 vjeç, banues në Tiranë.
Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në vende të ndryshme, përgjatë aksit rrugor Tuneli i Kalimashit – Morinë, duke transportuar secili me automjetin e tij, emigrantë të paligjshëm (në total 26), të cilët do t’i ndihmonin që të kalonin në mënyrë të paligjshme, kufirin me Kosovën, kundrejt fitimit 100-200 Euro për person.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 automjetet me të cilat transportoheshin emigrantët e paligjshëm, 3370 euro dhe 150 paund, të dyshuara të përfituara nga veprimtaria kriminale, si dhe 4 aparate celulare./tvklan