Site icon PrishtinaPress

Gjyqtari i Komerciales që e ktheu dy herë në rivendosje rastin e “Rrugës A”, para 10 ditësh mori një angazhim nga Qeveria Kurti

Gjykata Komerciale ka marrë vendim që punimet në rrugën “Jim Xhema” në Prishtinë, që ndryshe njihet si “Rruga A”, të ndërpriten. Ndonëse dhoma e parë e Komerciales, dy herë vendosi në favor të vazhdimit të projektit të kësaj rruge, kur rasti po ashtu dy herë shkoi në dhomën e dytë, gjyqtari i kësaj dhome, Faton Bajrami, dy herë e ktheu atë në rivendosje. Është ky vendim i tij ai që rrjedhimisht ka prodhuar edhe pezullimin e punimeve në “Rrugën A”, për të cilën u njoftua sot.

Gazeta online Reporteri.net përmes burimeve të saj ka marrë vesh se gjyqtari Faton Bajrami, përveç se ktheu dy herë në rivendosje projektin e “Rrugës A”, pavarësisht se në dhomën e parë nuk u konstatua për probleme me tender, në vendimin e dhomës së dytë të Komerciales e ka përjashtuar nga rasti edhe gjyqtarin Arnis Dumani.

Kur rasti erdhi për gjykim në herën e tretë në Gjykatën Komerciale, u vendos që gjyqtare, në vend të Dumanit, të jetë Vlora Pacolli, motra e Fitore Pacollit, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, duke i hapur rrugë që ajo të merret me lëndën, përmes së cilës vendosi ndërprerjen e punimeve në “Rrugën A”.

Ndërkohë, me vendimin e datës 12 tetor 2023, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjyqtarin e dhomës së dytë të Komerciales, Faton Bajramin e ka aprovuar si propozim të Ministrisë së Drejtësisë për të qenë anëtar i Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurispudencës.

Ai është caktuar si zëvendëskryetar i Komisionit dhe pyetës për lëndën E Drejta Civile (materiale dhe procedurale).

 

Projekti i ndërtimit të “Rrugës A”, nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është konsideruar si “projekti më strategjik i Kryeqytetit dhe momentalisht i Kosovës”. Kryetari Rama ka akuzuar se vendimi për pezullim është i bazuar në interesa politike e grupe interesi duke aluduar te gjyqtarja Vlora Pacolli, motra e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.

Projekti për ndërtimin e rrugës “Jim Xhema”, e njohur si “Rruga A”, ka vlerën e afro 8 milionë euro e gjysmë.

Reagime të shumta nga akterë të Lidhjes Demokratike të Kosovës

Akterë të shumtë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, partia që udhëheq me komunën e Prishtinës, kanë reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Komerciale sot.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka quajtur çmenduri ndërprerjen e punimeve të rrugës “Jim Jema” në kryeqytet, të njohur si “Rruga A”.

Përmes një postimi në Facebook, i pari i LDK-së ka thënë se “në Kosovën e popullistëve puna krijon kundërshtarë”.

“Sot, një gjykatëse vendosi ta ndalojë atë. Ta ndalojë punën e ndërtimit të rrugës ‘Jim Xhema’ në gjysmë të saj. Gjykatësja, del të jetë motra e deputetes në pushtet”, ka shkruar Abdixhiku.

Abdixhiku ka akuzuar partinë në pushet për pengim të punës së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

“Këta janë përplot mllef e urrejtje; dhe fatkeqësisht urrejnë qytetarët e vet. Punë s’bëjnë vet por punën e tjetrit se durojnë dot. Prishtina dhe qytetarët e kryeqytetit, le ta shohin këtë çmenduri. Fillimisht me bllokim buxheti deri në gusht; tani me bllokim projekti me familjarë”, ka shkruar Abdixhiku.

Ndërsa deputetja nga radhët e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili, e ka quajtur tashmë “të kontaminuar” çështjen e punimeve në “Rrugën A”.

Kica Xhelili ka thënë se ky vendim është “një prej skandaleve më flagrante të gjyqësorit” derisa ka thënë se nuk është e drejtë që qytetarëve të Prishtinës t’u mohohet ky projekt vital për ta.

“KJO është e frikshme. E tmerrshme! E pafalshme të kalohet pa dënim nga çdo qytetar i Kosovës e veçanërisht ÇDO qytetar i Prishtinës. Vendimet e mëvonshme pak kanë rëndësi. Ky rast tanimë është KONTAMINUAR!”, tha deputetja opozitare.

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se sabotimi i projektit më të madh të Prishtinës është goditje brutale ndaj interesit të qytetarëve.

Ajo ka shtuar se nënshkrimi nga motra e deputetes së VV-së me urdhër të Qeverisë është akt i ulët që vjen në vazhdën e sabotimit të punëve të mira që po bëhen në kryeqytet.

“Sabotimi i projektit më të madh të Kryeqytetit dhe gjithë shtetit tonë, është hiç më pak se goditje brutale kundër interesit qytetar. Me urdhër nga zyrat e Qeverisë, nënshkruar nga një instrument i pushtetit – nga motra e deputetes së mazhorancës përkatësisht – ky akt i ultë, vjen në vazhdën e sabotimit ndaj punëve të mira, të mbara e të shumta, që po bëhen në Kryeqytet”, ka reaguar Halimi.

LVV: Vendimi i Komerciales për “Rrugën A”, rezultat i qasjes anti-ligjore e Përparim Ramës

Lëvizja Vetëvendosje ka dalur me një reagim publik menjëherë pasi u bë i ditur lajmi për ndalimin e punimeve të rrugës “Jim Xhema”, po ashtu e njohur si “Rruga A”. Sipas LVV-së, vendimi i Gjykatës Komerciale rodhi si rezultat “i qasjes së vazhdueshme anti-institucionale dhe anti-ligjore të ekzekutivit të Komunës së Prishtinës.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se kjo nuk ishte masa e vetme që është marrë nga gjykatat për vendimet e kryetarit Përparim Rama në lidhje me rrugët e kryeqytetit.

“Vendimi i sotshëm i Gjykatës Komerciale është pasojë e qasjes së vazhdueshme anti-institucionale dhe anti-ligjore të ekzekutivit të Komunës së Prishtinës. Kujtojmë që edhe disa rrugë të tjera të qytetit, si shkak i vendimeve të jashtëligjshme të Kryetarit Rama, janë nën masën e sigurisë së gjykatave. Gjithashtu është inicuar kontest gjyqesor nga MAPL ndaj Komunes së Prishtinës për moszbatim të vlerësimeve ligjore siç parashihet me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Gjithandej nëpër matjet e të gjitha organizatave, Komuna e Prishtinës prinë për vendime e veprime të paligjshme”.

Etiketimi i gjyqtares së rastit nga kryetari Perparim Rama, LVV thotë se është veprim që duhet dënuar.

“Është për çdo kritikë dhe për t’u denuar reagimi i Kryetarit të Prishtinës në lidhje me këtë çështje. Etiketimi i gjyqtares së rastit dhe deklarimi se vendimi është politik e ka për qëllim bllokimin e projekteve në Prishtinë, është tendencë e Përparim Ramës për ta mbuluar dështimin e vet të pashmangshëm dhe tashmë evident”.

Gjykata Komerciale dënon reagimet për “Rrugën A”

Gjykata Komerciale e Kosovës, ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me deklarimet e zyrtarëve shtetërorë, lidhur me vendimin për ndalimin e punimeve në “Rrugën A”.

Komercialja thotë se duhet të mësohemi t’i respektojmë vendimet gjyqësore, pa paragjykim dhe politikanët të përmbahen nga deklaratat, shkruan Reporteri.net.

“Gjykata Komerciale e Kosovës, shpreh shqetësimin e saj lidhur me deklarimet e zyrtarëve shtetëror, lidhur me rastin e marrjes së vendimit për caktimin e masës së sigurisë, përkatësisht shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të OshP-së në rastin “Rruga A”, e cila është në procedurë pranë Dhomës së Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale”, thuhet në reagim.

“Përmbajtja dhe retorika e mediave, si dhe deklaratat e politikanëve, mund të kenë ndikim të madh në opinionin publik dhe besimin në institucionet gjyqësore. Andaj, është e rëndësishme që të ndërtohet një kulturë e respektimit të vendimeve gjyqësore dhe të kujdesemi për të mos paragjykuar ato, duke lënë gjyqtarët të punojnë në mënyrë të pavarur dhe të bazuar në ligj dhe fakte”.

“Palët kanë të drejtën e tyre të shfrytëzimit të mjeteve juridike për vlerësimin e vendimit nga instancat më të larta gjyqësore, andaj nuk duhet të paragjykohet çështja pa marr epilog përfundimtar”, përfundon reagimi.

Ish-pronari i kompanisë që fitoi tenderin për “Rrugën A” ishte dënuar për falsifikim dokumentesh

Një pjesë e aktgjykimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, i mëhershëm, shpërfaq se ish-pronari i kompanisë që e fitoi tenderin për ndërtimin e kësaj rruge është i dënuar për falsifikim dokumentesh.

Kompania në fjalë është “Sallahu SH.P.K.“, ndërsa ish-pronari i saj i dënuar për falsifikim dokumentesh është Naim Sallahu. Ky i fundit, përkundër se nuk figuron më si drejtues i kompanisë, ishte parë i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të fillimit të punëve të “Rrugës A”.

Sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Naim Sallahu, kur aplikoi në tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale Gjurgjicë-Kjevë, kishte paraqitur një dokument të falsifikuar kinse të Administratës Tatimore të Kosovës, ku figuron se nuk ka borxhe. Ai qe dënuar me gjashtë muaj burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Por, atij dënimi me burgim i ishte zëvendësuar me pagesën e gjobës prej tre mijë euro. Vendimi ishte marrë nga Themelorja më 30 mars të 2018-s

Për më tepër, sipas aktvendimit, i njëjti kur ka paraqitur listën e pagave të punëtorëve të tij, ka thënë se i ka 50 punëtorë në kompani, kur në realitet numri i punëtorëve ishte 29.

Kompania “Sallahu SHPK”, tash është në emër të Lulzim Sallahut, vëllait të të dënuarit për mashtrim me dokumente të falsifikuara, nga gjykata, Naim Sallahu. /Reporteri.net/.

 

Exit mobile version