Site icon PrishtinaPress

Gjyqtarët e prokurorët nuk pritet të përballen me vetingun gjatë këtij viti

Vetingu po vazhdon të vlerësohet si e vetmja mundësi që të ketë përmirësim të sistemit të drejtësisë në vend. Megjithëse Ministria e Drejtësisë ka proceduar në qeveri koncept-dokumentin për vetingun gjatë vitit të kaluar, përballja e gjyqtarëve dhe prokurorëve me vetingun duket se nuk do të ndodhë gjatë këtij viti.

Skepticizëm për një gjë të tillë shprehin organizatat që monitorojnë sistemin e drejtësisë, të cilat vlerësojnë se do të marrë kohë përgatitja e bazës ligjore dhe ndryshimet kushtetuese.

Sipas tyre, këtë e vështirëson edhe mungesa e konsensusit politik për një reformë të tillë, si dhe kundërshtimi që po i bëhet këtij procesi nga bashkësia ndërkombëtare dhe Këshilli Gjyqësor e Këshilli Prokurorial.

Ministria e Drejtësisë thotë se nuk mund të vazhdohet me amendamentet kushtetuese pa marrë opinionin e Komisionit të Venecias, të cilin potencoi se presin ta marrin tek në muajin mars. Sipas MD-së, nuk ka interes Kosova që të mos ketë konsultim me Venecian për një çështje shumë të rëndësishme siç është Vetingu. Gjithashtu, është bërë e ditur se ministrja Haxhiu ende nuk i ka takuar paritë opozitare në Kuvend për të diskutuar rreth kësaj reforme.

Pjesë e grupit punues për përgatitjen e bazës ligjore për vetingun është edhe Arton Demhasaj, nga organizata Çohu, i cili thotë se në bazë të procedurave që janë duke i zhvilluar nuk pritet që të paktën deri në fund të këtij viti të ketë ndonjë proces efektiv të vetingut, raporton KP.

“Duke marrë parasysh procedurat ne veç jemi duke punuar tek baza ligjore dhe njëkohësisht tek ndryshimet kushtetuese që kanë nevojë me ndodhë për t’u përgatitur fillimi i procesit të vetingut. Tash nëse i marrim parasysh këto procedura derisa të hartohet ligji dhe ndryshimet kushtetuese, këto duhet të shkojnë në qeveri, pastaj prej qeverisë duhet të shkojnë në Kuvend, aty të shqyrtohen, të votohen. Potencialisht dikush mundet me pas ndoshta iniciativë ta dërgojë edhe në Gjykatë Kushtetuese e gjëra të tilla, mendoj që kjo do të shkaktojë vonesa. Kështu që, nuk besoj që mund të pritet që deri kah fundi i vitit 2022 të ketë një proces efektiv të vetingut”, thotë ai.

Edhe Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për KosovaPress se gjatë këtij viti do të bëhen vetëm përgatitjet ligjore për procesin e vetingut.

Zekaj potencon se e vetmja mënyrë që sistemi i drejtësisë të “këndellet” është vetingu dhe si i tillë thotë se duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese.

“Nuk e besoj që gjyqtarët do të ballafaqohen me vetingun gjatë vitit 2022, mund të jetë paragjykim kohor. Por, besoj qe gjatë viti 2022 duhet të bëhen të gjitha përgatitjet për një proces të mirëfilltë të vetingut. Besoj që viti 2022 do të jetë viti në të cilën do t’i kemi amandamentet kushtetuese, do të kemi një bazë ligjore pastaj me një ligj të veçantë për vetingun, por e gjitha kjo varet prej qasjes që do ta ketë Ministria e Drejtësisë, sa Ministria e Drejtësisë do të mund ta bind faktorin ndërkombëtarë për nevojën për veting, sa MD do të mund ta unifikojë faktorin politik, përkatësisht opozitën duke përfshi edhe partitë e minoriteteve që përfaqësohen në Kuvend për ta përkrahur një proces të tillë”, thotë ai.

Për një reformë të tillë, Zekaj thotë se i mbetet qeverisë që të krijojë konsensusin e nevojshëm dhe ta bëjë të qartë për faktorin ndërkombëtar se vetingu do te organizohet vetëm për qëllim të rritjes së integritetit të sistemit te drejtësisë.

Qeveria e Kosovës me 13 tetor 2021 ka miratuar Koncept Dokumentin për zhvillimin e procesit të vetingut në sistemin e drejtësisë, i cili i rekomandon Qeverisë miratimin e opsionit që rekomandon vetingun me ndryshime kushtetuese nga një trup ad-hoc dhe i njëjti më pas vazhdon vlerësimin e vazhdueshëm në kuadër të Këshillit Gjyqësorë të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Exit mobile version