Site icon PrishtinaPress

Gjyqi në Hagë fillon sot: Për çka akuzohen udhëheqësit e luftës së Kosovës?

Pas më shumë se dy dekadash pasi luftuan përkrah njëri-tjetrit, ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi sot nis gjykimi në Gjykatën Speciale për t’u përballur me akuzat për krime lufte.

Për çfarë akuzohen ish-krerët e UÇK-së?

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, janë deklaruar të pafajshëm për katër akuza për krime lufte dhe gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit.

Ish-krerët akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 5 nëntor 2020, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës, pasi gjykatës i procedurës paraprake pranë Dhomave të Specializuara e njoftoi se e ka konfirmuar aktakuzën ndaj tij dhe tre ish-bashkëluftëtarëve të tij.

“Ashtu, siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës”, tha Thaçi për gazetarët gjatë një konference për media të mbajtur në oborrin e Presidencës së Kosovës.

Po atë ditë, ai u nis drejt Hagës, ku ende po qëndron në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara që njihen edhe si Gjykata Speciale.

Më 9 nëntor, në paraqitjen e parë para Gjykatës Speciale, Thaçi u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj tij.

“Deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës”, tha Thaçi, duke e cilësuar aktakuzën ndaj tij si “të paqëndrueshme”.

Në kohën kur Kuvendi i Kosovës votoi për themelimin e Gjykatës Speciale, Thaçi kishte deklaruar se pavarësisht e konsideronte padrejtësi, shteti duhej ta themelonte këtë institucion, që vepron sipas ligjeve të Kosovës.

“Kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës për të themeluar një Gjykatë Speciale, që do të trajtojë ndonjë akuzë të mundshme, e cila do të mund të rezultojë nga hetimet e Task Forcës Speciale Hetuese e themeluar nga Bashkimit Evropian, për të adresuar pretendimet e dala nga Raporti i Dick Martyt, është padrejtësia dhe fyerja më e madhe që mund t’i bëhet shtetit të Kosovës dhe shoqërisë kosovare”, kishte deklaruar Thaçi në Kuvendin e Kosovës.

Ish-kryeministri dhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas dokumenteve të Gjykatës Speciale, thuhet se në kohën e luftës ka qenë shef i drejtorive politike dhe informimit të UÇK-së, kryekomandant i UÇK-së dhe kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.

Specialja e akuzon atë se së bashku me Veselin, Selimin dhe Krasniqin, dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, më 5 nëntor bëri të ditur se kishte bërë të gjitha aranzhimet e nevojshme që vullnetarisht të udhëtonte drejt Hagës, pasi ishte njoftuar se ka aktakuzë të konfirmuar ndaj tij nga Dhomat e Specializuara.

“E vlerësoj faktin që Dhomat e Specializuara kanë treguar mirësjellje duke më nisur një ftesë për t’u paraqitur në gjykatë, në vend se të më arrestonin në mënyrë të padinjitetshme”, tha Veseli, përmes një deklarate për shtyp.

Ai kërkoi nga qytetarët e Kosovës të tregonin respekt për autoritetet e drejtësisë, pasi theksoi se “ky proces ka për qëllim të arrijë tek e vërteta”.

Më 10 nëntor të vitit 2020, në paraqitjen e parë para Speciales, Veseli u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat.

“I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës. Më lejoni të deklarohem me bindje të plotë, se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, deklaroi Veseli.

Veseli në kohën kur iu konfirmua aktakuza udhëhiqte Partinë Demokratike të Kosovës, që aktualisht është subjekti më i madh opozitar në Kosovë. Paraprakisht, ai kishte qenë edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq, sa i përket luftës dhe në fillim të pasluftës, sipas dokumenteve të Gjykatës Speciale, Veseli thuhet se ka qenë anëtar i drejtorisë politike të UÇK-së dhe shef i shërbimit të zbulimit të UÇK-së. Po ashtu thuhet se Veseli ka qenë ministër i Shërbimit Informativ në Qeverinë e Përkohshme dhe shef i Shërbimit Informativ të Kosovës./PrishtinaPress/

Exit mobile version