Site icon PrishtinaPress

‘Gjynah, çka po i bëjnë’: Rrëfimi i gruas së Naser Makollit, çka i kishte treguar për Astrit Deharin gjatë vizitave në burg

Suzana Makolli është bashkëshortja e Naser Makollit, dëshmitarit kryesor në rastin e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari. Sikurse Dehari edhe Makolli vdiq në burg. Familja e tij, po ashtu ka dyshime për vdekjen e tij. Thonë se është helmuar në burg.

Gruaja e tashmë të ndjerit, Suzana Makolli ngrit shumë pikëpyetje. Kryesorja: a vdiq nga sëmundja, apo mos edhe Naser Makolli është vrarë?

Me familjarë, Naser Makolli kishte folur jo rrallë herë për torturat që po i bëheshin Astrit Deharit.

Mes tjerash ajo thotë që Naseri i kishte treguar për maltretimet që po i bëheshin Astrit brenda burgut.

“…Gjatë bisedave më thoshte shikoje këtë djalin, e kam në dhomë, e tranun pe maltretojnë mendtë ia qiten. Emra nuk ka cek se kush, veç më thoshte Suz, edhe unë kur dal një popull ka me u tmerru çka kam me bë”.

“Për Astritin ai ka nis me fol pas një muaj qashtu veç thoshte e kam në dhomë, është djalë i mirë. Në njërën nga vizitat kam qëllu së bashku me familjarët e Astritit, unë nuk i kam njohur, ata kanë qenë në fillim unë në fund. Dhe, si sot e mbajë mend ka pasur të veshur një trenerk të kuqe dhe më tha burri, këqyre qeta (për Astritin) e tranuan, po e maltretojnë”.

“Gardianët po gardianët qysh jo, gardianet për shembull jo me thënë me emra thoshtë këta gardianët kështu. Ama ai (Naser Makolli) prej rastit të Astrit e këndej, mundem me thënë që veç fizikisht kam pasë burrë me mendje më nuk ka qenë”.

“Prej vdekjes së Astrit ka fol, nuk është që ska fol, por ka qenë shumë i trishtuar, aq i trishtuar sa thoshta as nuk po mundem me flejt natën as me honger as me pi, hiq çka kanë bë këta, çka kam pa unë e çka kam ni unë”, ka thënë ajo për InDoks.

Po bëhen 7 vite dhe rasti i Astrit Deharit ende nuk është zgjedhur. Derisa nga Prokuroria deklarojnë që po hetojnë ende për vdekjen e Astrit Deharit. Se po e hetojnë edhe se si u zhdukën mostrat e këtij rasti që besohej se po ruheshin mirë në laboratorin e toksikologjisë, debati publik për këtë rast ka nisur të marr vëmendje edhe një herë.

Kujtojmë që aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren në nëntor të vitin 2016, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit bashkë me disa aktivistë të tjerë, raporton Insajderi.

Exit mobile version