Site icon PrishtinaPress

Gjykimin ndaj “Thaçit dhe të tjerëve”, po vazhdon edhe sot në sesion privat

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po e vazhdon edhe të mërkurën dëshminë dëshmitarja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Kjo dëshmitare, e cila mban kodin W04489 është e 41-ta me radhë dhe është ftuar nga ZPS-ja për të dhënë dëshmi në këtë çështje.

Nën masa mbrojtëse, dëshmitarja e 41-të ka filluar dëshminë e saj më 17 janar 2024 si dhe dëshmia e saj është dëgjuar edhe të martën (23 janar).

Sot të pranishëm në sallë janë të gjithë të akuzuarit përveç Jakup Krasniqit, i cili është prezent përmes video-lidhjes, ndërsa gjyqtari Fergal Gaynor nuk është i pranishëm në sallë dhe se nuk dihet nëse është duke e përcjellë seancën përmes video-lidhjes.

Në fillim të seancës, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III kërkoi sesion privat për të diskutuar për një çështje, me arsyetimin për ta mbrojtur identitetin e dëshmitares.

Pas disa minutave, seanca shkoi në pushim të paplanifikuar dhe u rikthye për të vazhduar sërish në sesion privat pa ndonjë arsyetim.

Në përmbledhjen e lexuar nga prokurori Matt Halling më 17 janar, u tha se dëshmitarja është e afërme e një viktime që pretendohet se është vrarë dhe zhdukur nga Drenoci.

“Dëshmitari 04489 është e afërme e një viktime që pretendohet se është vrarë dhe është zhdukur nga Drenoci. Dëshmitari do të përshkruajë veprimtaritë e viktimës së pretenduar përpara se të zhdukej në Drenoc, herën e fundit që dëshmitarja e ka parë dhe përpjekjet e pafundme që ka bërë familja për të zbuluar se çfarë i kishte ndodhur këtij personi”, tha prokurori gjatë leximit të përmbledhjes.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Exit mobile version