Ka nisur sot gjykimi për një ndër rastet më të rënda që ka ndodhur në Kosovë. Të akuzuarit për sulmin ndaj autobusit në Gllogjan, ku u vranë shoferi i autobusit dhe dy nxënës, dolën sot para gjykatës.
Aktakuza për këtë rast është ngritur para tri javësh nga Prokuroria Themelore e Pejës.
Pamje nga gjykata.
Prokurorja e rastit, Sahide Gashi, kishte deklaruar se ndaj Kastriot dhe Kreshnik Mehmetajt është ngritur aktakuzë si bashkëkryes së vrasjes së rëndë, derisa ndaj Halil Mehmetajt për nxitje së vrasjes së rëndë.
“Ju njoftoj se pas hetimeve, Prokuroria sot me datë 5 maj ka ngritur aktakuzë kundër Kastriot Mehmetaj dhe Kreshnik Mehmetaj për veprën penale si bashkëkryes së vrasjes së rëndë”, kishte deklaruar Gashi, para gazetarëve.
Për Malsor Mehmetajt, Gashi kishte njoftuar se kanë pushuar hetimet meqë Prokuroria “nuk ka arritur që të vërtetojë dyshimin se i njëjti ka qenë i përfshirë në ndonjë mënyrë në përgatitjen, ndihmë apo zbatimin e aktit të krimit”.
Gjetjet e hetuesisë: Target ishte shoferi, krimi ishte i mirëplanifikuar
Ditën kur njoftoi për ngritjen e aktakuzës, prokurorja Gashi deklaroi se pas të gjitha provave, fakteve dhe analizave forenzike, ka dalë se targeti i të dyshuarve ishte shoferi i autobusit dhe se krimi ishte mirëplanifikuar.
Duke folur për gjetjet e hetuesisë, Prokurorja zbuloi se kryesi atë natë ishte shtirur si i dehur ose me probleme që ta detyrojë shoferin që ta ngadalësojë shpejtësinë e autobusit.
“Pas grumbullimit të të gjitha informatave nga Njësiti i Forenzikës, nga ekspertimi i vendit të ngjarjes, izolimi i gjurmëve, sigurimi i provave se dhe veprimeve tjera hetimore, kemi mund të konstatojmë me besueshmëri të lartë se nuk ka indikacione për sulm terrorist dhe se kemi të bëjmë me një ekzekutues me shumë gjasë të maskuar, target i sulmit ishte shoferi i autobusit dhe se kemi të bëjmë me një krim të mirëplanifikuar dhe atë mbi bazën e treguesve që kishim siç është: Përzgjedhja e vendit, ku s’kishte asnjë shtëpi në afërsi, pjesa më e madhe e terrenit ishte e mbuluar me drunj dhe shkurre të cilat e bënin shikueshmërinë e vështirësuar nga kalimtarët e rastit dhe s’ka mbulim me kamera; Kohën, pra stinën e dimrit dhe kushtet atmosferike, shiu. Kryesi paraprakisht e ka ditur mirë itinerarin e autobusit, kohën e saktë të arritjes së të njëjtit në vendin e ngjarjes si dhe Veprimet e ndërmarra të kryesit, si shtirja e të njëjtit si i dehur ose me probleme për ta detyruar shoferin që ta ulë shpejtësinë, eventualisht edhe ta ndalojë dhe ta kap në befasi. Zhdukja e kryesit pa lënë asnjë gjurmë është dëshmi se i njëjti e ka njohur mirë terrenin ose ka pasur bashkëpunëtorë që e kanë ndihmuar duke e larguar prej aty menjëherë pas sulmit”, kishte deklaruar Gashi.
Ajo kishte treguar saktësisht për veprimet që janë ndërmarrur për ta zbardhur këtë rast, nga intervistimi i pasagjerëve të mbijtuar të autobusit e deri te pamjet e kamerave që nga vendi i nisjes së autobusit.
“Janë identifikuar pothuajse të gjithë personat dhe veturat që kanë qarkulluar në atë moment në aksin rrugor. Të gjithë provat që kemi siguruar janë dërguar me urgjencë në Agjencinë Kosovare për Forenzikë për ekzaminim. Është siguruar hartografia dhe hyrje daljet e komunikimeve elektronike nga dy operatorët VALA dhe IPK0. Janë siguruar incizimet e të gjitha kamerave përgjatë rrugëtimit të autobusit “Erblini” duke filluar nga stacioni i autobusëve në Gjakovë e deri në Gllogjan, por është vazhduar edhe më tutje për verifikimin e lëvizjeve. Janë marrë intervistat e para me pasagjerët e mbijetuar të autobusit, është nxjerrë profili i kryesit dhe personave viktima të rastit dhe kemi ardhur në një përfundim preliminar”, kishte thënë ajo.
Si kishte ndodhur rasti?
Vrasja e trefishtë u krye mbrëmjen e 26 nëntorit të vitit 2021, pak para orës 19:00. Atë natë, autobusi që po transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan u sulmua ma kallashnikov. U vranë shoferi i autobusit, Gani Gjokaj, dhe dy nxënësit, Genta Mustafaj dhe Ledion Hamzaj.
Fillimisht u përfol për sulm terrorist, por policia njoftoi se s’ka arsye për të besuar se sulmi mund të ketë motive të tilla.
Dy ditë pas rastit tragjik, Qeveria e Kosovës, bashkë me Policinë kishin njoftuar se do të ofrojnë një shpërblim prej 20 mijë eurosh për këdo që jep informacion që mundëson arrestimin e autorit apo autorëve të vrasjeve në Deçan.
Të nesërmen, Departamenti për Krime të rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë kishte thënë se ka siguruar disa informacione, që mund të çojnë në zbardhjen e rastit.
“I kemi disa indikacione, të cilat jemi duke i gjurmuar dhe jemi duke ecur përpara që t’i vërtetojmë. Disa rrethana na tregojnë se nuk do ta kemi të lehtë, por unë jam optimiste se do ta bëjmë”, kishte thënë për REL, prokurorja e rastit, Sahide Gashi.
Tek më 11 dhjetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore e Pejës, saktësisht Kryeprokurori Agim Kurmehaj, doli në konferencë për media dhe njoftoi se janë arrestuar tre të dyshuar për rastin.
Një tjetër i dyshuar për këtë rast ishte arrestuar në shkurt të vitit të kaluar.
Për motivin nuk është dhënë asnjëherë ndonjë deklaratë zyrtare, por në medie është përfolur disa herë si pistë hetimi vetëvrasja e një të reje para disa vitesh, për të cilën dikush e fajësonte shoferin e autobusit.
Ajo që kishte kryer vetëvrasje ishte vajza/motra e të dyshuarve për sulmin ndaj autobusit.