Site icon PrishtinaPress

Gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, dëshmitari thotë se s’ka dëgjuar për grup kriminal të organizuar

Në gjykimin për vrasjen e ish-politikanit serb Oliver Ivanoviq, ish-shefi i Njësisë Hetuese Regjionale në Mitrovicën e Veriut, dëshmitari Sreçko Banoviq, ka thënë se asnjëherë nuk ka dëgjuar se ka pasur grup të organizuar kriminal.

“Unë nuk kam pasur asnjë informacion”, tha dëshmitari Banoviq, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Nedelkjo Spasojeviq, avokatit Faruk Korenica.

Në këtë rast, për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit, e cila kishte ndodhur në janar të 2018-ës, po akuzohen Marko Roshiq, Nedelko Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara.

Po ashtu, Banoviq tha se gjatë periudhës sa kishte qenë në pozitën- shef i Njësisë Hetuese Regjionale në Mitrovicën e Veriut, nuk ka dëgjuar se i akuzuari Spasojeviq ka qenë pjesë e ndonjë grupi kriminal të organizuar.

“Kam thënë se kam pasur 14 hetuesit e mi, stacioni ka pasur mbi 100 njerëz, nuk kam pasur kohë të merrem me zërat e njerëzve, ashtu që diçka të tillë për Spasojeviq nuk kam dëgjuar, kam pasur punët e mija”, tha ai, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Fillimisht, dëshmitari Banoviq është përgjigjur në pyetjet e të akuzuarit Rade Basara, i cili edhe e ka propozuar këtë dëshmitar, e që ky i fundit tregoi se ka qenë shef i të akuzuarit Basara.

Ai e ka treguar edhe organizimin e brendshëm të kësaj njësie, si dhe ka treguar edhe detyrat e policëve hetues. Sipas tij, Njësia Rajonale Hetuese nuk ka pasur të drejtë ta mbikëqyr punën e Stacionit Policor.

Banoviq ka thënë se nuk ka ndodhur asnjëherë që i akuzuari Basara të refuzojnë ndonjë punë që i është caktuar dhe se për punën e tij nuk ka pasur asnjëherë ankesa, as nga prokurori e as nga qytetarët.

Exit mobile version