Dëshmitari Bujar Dërvishi, imam i xhamisë në Kaçanik dhe teolog, ka thënë se gjatë një varrimi, ka hasur në varrezat që kanë qenë duke u transferuar.
Një deklarim të tillë, dëshmitari Dërvishi e bëri të mërkurën në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në gjykimin ku Besim Tahiri në cilësinë e personit zyrtar dhe atë të u.d. së Udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) dhe Gëzim Osmani në cilësinë e personit zyrtar në MIT akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Bashkë me ta, akuzohet edhe Hajredin Hajra se në cilësinë e drejtorit të biznesit “Eurokod” SH.P.K ka kryer veprën penale “Marrëveshjet për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tender”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Një ditë kemi pas një varrim, si hoxhë kam shku me varros qysh duhet, m’i kry procedurat dhe kur kemi shku atu me popullin vetëm kur kemi hasë në ato varrezat që kanë qenë duke i transferu nga autostrada dhe nuk kam qenë në dijeni si hoxhë në lidhje me këtë proces. Nuk e di si kanë shku procedurat tjera, a ka qenë në dijeni komuna apo ka qenë Bashkësia Islame dhe nuk e di si shkojnë ato procedura”, ka thënë Dërvishi.
I njëjti duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Naim Abazi, ka thënë se janë mbushur hapësirat në vendin ku kanë varrosur më herët persona dhe më pas komuna iu ka ofruar tokën në fjalë.
“Ne një varrezë që e kemi pas, aty është mbush, pastaj është kërku nevoja që me i varrosë në një vend tjetër, me një tokë tjetër dhe pastaj komuna na ka dhënë atë tokë përmes komunës sipas kërkesës sonë dhe komuna e ka rregullu në tërësi infrastrukturën dhe prona ka qenë shtetërore”, deklaroi dëshmitari Dërvishi.
I njëjti, ka thënë se në fillim varret janë më të rregullta, mirëpo në pjesën në fund duken si grumbull.
“Po, në fillim janë varret më në rregull, ashtu duken ndërsa ato ka fundi duken si grumbull, nëse ato varreza janë të fëmijëve sepse zakonisht bëhen më afër për shkak që të mos zihet hapësira e varrezave”, tha Dërvishi.
Në këtë seancë, pas administrimit të provave materiale, është dëgjuar edhe eksperti Visar Bibaj, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Tahiri, avokatit Senat Elshani ka deklaruar se ka pasur dallime në kohëzgjatjen e kontratës sipas dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë.
Një gjë e tillë, sipas tij është në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik (LPP).
“Sipas dosjes së tenderit edhe njoftimit për kontratë ka pas dallime kohëzgjatja e kontratës, një gjë e tillë është e ndaluar me dispozitat e LPP-së, unë e kam sqaruar në raport të ekspertizës, në njoftim për kontratë kanë qenë dy njoftime për kontratë, njëri i marrë nga autoriteti kontraktues dhe njëri nga komisioni rregullativ i prokurimit publik”, ka thënë eksperti Bibaj.
I njëjti sqaroi se në njoftimin e komisionit rregullativ, kohëzgjatja ka qenë 1 vjeçare, ndërsa në njoftimin tjetër dhe në dosje të tenderit është ndryshuar lloji i kontratës dhe është përcaktuar periudha 2 vjeçare, e që sipas tij, një gjë e tillë nuk është e lejuar me dispozitat e LPP-së.
“Në atë të komisionit rregullativ, kohëzgjatja e kontratës ka qenë 1 vjeçare në njoftimin tjetër dhe në dosje të tenderit është ndryshu lloji i kontratës, është përcaktu në kontratë kornizë me periudhë kohore 2 vjeçare, ndryshimi nuk është i lejum me dispozita ligjore të prokurimit publik atëherë në fuqi dhe tani”, tha Bibaj.
Eksperti Bibaj gjithashtu ka thënë se nënshkrimi i kontratës është në kundërshtim me vlerën e përcaktuar nga autoriteti kontraktues dhe se i njëjti është dashur ta anulojë këtë procedurë të prokurimit që në fillim.
“Nënshkrimi i kontratës është bërë në kundërshtim me vlerën e përcaktuar nga autoriteti kontraktues, qysh në hapje dhe në vlerësim të ofertave, autoriteti ka qenë dashur ta anulojë këtë procedurë të prokurimit. Arsyeja është se oferta e operatorit ekonomik në të cilën është lidhë kontrata e ka tejkalu vlerën e parashikuar nga autoriteti kontraktues, vlerë e cila ka qenë 60 mijë euro”, tha Bibaj.
I njëjti, tutje shtoi se mund të vije në përfundim që është tejkaluar vlera e parashikuar nga autoriteti kontraktues.
“Paragrafi 2 i nenit 62 të LPP-së përcakton arsyet kur pas vlerësimit apo pas hapjes së ofertave duhet të anulohet një aktivitet i prokurimit, njëra prej arsyeve është edhe kur tejkalohet vlera e parashikuar nga autoriteti kontraktues, pra sipas saj kjo procedurë e prokurimit pas vlerësimit të ofertave ka qenë dashtë të anulohet pasi që ka ofertua vetëm një grup i operatorëve ose një ofertë të vetme dhe nuk ka pasur tjera dhe në bazë të kësaj mund të konkludoj që është tejkalu”, deklaroi eksperti Bibaj.
Duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues, eksperti Bibaj ka deklaruar se i akuzuari Osmani si menaxher i projektit është dashur të mbajë ditar edhe për punë edhe për shërbime.
“Bazuar në lidhje të kontratës a ka qenë shërbim, sigurisht që është dashtë me mbajt ditar edhe për punë edhe për shërbim, megjithatë kushtet e kontratës nuk janë raportu që nuk po zbatohen se kërkesa e autoritetit ka qenë për gjithsej 5 pozicione, ka pas m’u bo zhvendosja, ka pas m’u vendos piramida për ato ekzistuese për m’u bart te vendi dhe m’u vendos rrethojat, këto punë nuk janë kry”, tha Bibaj.
Seanca e radhës në këtë çështje penale pritet të mbahet më 16 qershor 2022.
Aktakuza ndaj Besim Tahirit, Gëzim Osmanit e Hajredin Hajrës është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 31 maj 2021.
Besim Tahiri akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, gjatë periudhës kohore nga 13 maji 2016 deri 10 tetor 2017, me qëllim të dëmtimit të buxhetit të Republikës së Kosovës, ka keqpërdorur pozitën zyrtare gjatë zhvillimit të prokurimit për aktivitetin e prokurimit “Dislokomi i varrezave nga traseja e Autostradës R6 segmenti C2 dhe C3”.
Sipas aktakuzës, duke vepruar në kundërshtim me kriteret e dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë, ku ishte përcaktuar afati i kontratës 1 vit, ndërsa ka nënshkruar kontratën me afat prej 2 vite, pastaj ka lejuar tejkalimin e numrit të njësive nga 40 në 474 varreza dhe ka lejuar tejkalimin e kontratës nga 60 mijë euro në 832 mijë e 235 euro e 69 centë, si dhe ka lidhë aneks-kontratën më 30 nëntor 2016 për këtë procedurë të prokurimit në emër të punëve shtesë, edhe pse ishte në kundërshtim me nenin 35, paragrafi 2.4.i LPP-së, ku vlera e kësaj aneks-kontrate është me vlerë shumëfishë më e lartë se që është e lejuar me Ligjin e Prokurimit Publik (neni 35, par 2.4), krejt kjo me qëllim për t’i shkaktuar dëme buxhetit të Republikës së Kosovës në shumën prej 772 mijë e 235 euro e 69 centë.
Me këtë, Tahiri akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetin zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku kryesi dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Tutje, në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se i pandehuri Gëzim Osmani, në cilësinë e personit zyrtar, gjatë periudhës kohore 25 gusht 2016 e deri më 7 nëntor 2018, me qëllim të dëmtimit të buxhetit të Republikës së Kosovës, e ka keqpërdor pozitën zyrtare, në atë mënyrë që ka vepruar në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tij, të cilat ishin caktuar me vendimin me NR.Pro.35831, të 25 gushtit 2016.
Në aktakuzë thuhet se Osmani, në cilësinë e menaxherit të projektit, ishte i obliguar që të sigurohej se operatori ekonomik i përmbushte të gjitha obligimet e performancës apo dërgesës në përputhje me termat dhe kushtet e kontratës, t’i dorëzojë raportet mbi progresin ose kompletimin e një kontrate siç kërkohet nga divizioni i prokurimit ose nga ZKA, të verifikojë sasitë e punëve të kryera, nënshkruajë ditarin e ndërtimit, librin e ndërtimit dhe situatat për pagesë.
Lidhur me këtë thuhet se i kishte shkaktuar dëm Ministrisë së Infrastrukturës dhe përfitime operatorit ekonomik “Eurokod”, me të cilin rast janë pranuar punët edhe pse nuk ishin zbatuar pozicionet e përcaktuara në kontratë, si dhe ka tejkaluar kompetencat e menaxherit të projektit, duke kërkuar pozicione shtesë në emër të aneks-kontratës.
Kurse, thuhet se pas nënshkrimit të aneks-kontratës kishte lejuar që të bëhen hulumtime për varre në lokacione të cilat nuk ishin përcaktuar në kontratë, krejt kjo me qëllim për t’i shkaktuar dëme buxhetit të Republikës së Kosovës në shumën prej 772 mijë e 235 euro e 69 centë.
Me këtë, Osmani akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetin zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku kryesi dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Hajredin Hajra akuzohet se në cilësinë e drejtorit të biznesit “Eurokod” SH.P.K., me qëllim të pranimit të ofertës nga autoriteti kontraktues për aktivitetin e prokurimit me titull të kontratës “Dislokimi i varrezave nga traseja e Autostradës R6, segmenti C 2 dhe C 3”, më 17 qershor 2016, në Prishtinë, në kundërshtim me kriteret e dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë kishte dorëzuar ofertën në bazë të një marrëveshje të kundërligjshme.
Në aktakuzë thuhet se marrëveshja për themelimin e grupit të operatorëve ekonomik “Eurokod”, SH.P.K dhe “Engenieering Group” SH.P.K, ishte bërë që të plotësohen kriteret formale, më saktë të përdorej referenca e “Engenieering Group”, kurse në zbatim të kontratës ishte përjashtuar operatori ekonomik “Engenieering Group” nga i pandehuri, me të cilin rast nuk e kishte lejuar të marrë pjesë në implementim të kontratës me numër MI/16/071/221, të 20 korrikut 2016, me qëllim që vetës t’i sjell dobi pasurore.
Me këtë, Hajra akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrëveshjet për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tender” nga neni 309, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit, kryerësi i së cilës dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.