1.5 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Gjykimi për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, Konjufca mbrohet në heshtje

Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës, në seancën e së mërkurës në gjykimin ky po akuzohet për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend, zgjodhi të mbrohet në heshtje.

“Zonja gjyqtare, deklaratën kryesore e kam dhënë në fazat e mëhershme të këtij procesi, asaj i përmbahem. Kështu që po e zgjedhi këtë opsionin e mbrojtjes në heshtje të cilin ma mundëson edhe ligji”, tha Konjufca.

Gjatë kësaj seance, janë elaboruar provat materiale të propozuara në aktakuzë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në këtë seancë, u aprovua propozimi i prokurorit Besart Mustafa që si provë të administrohet procesverbali i mbledhjes së kryesisë së Kuvendit më 10 gusht 2016.

Më pas, seanca u ndërpre me kërkesë të mbrojtëses së Konjufcës, avokates Arbnora Zeqiri, në mënyrë që të ketë mundësi të përgatitet për fjalën përfundimtare.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Konjufca po akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, i njëjti në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.

Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve është pamundësuar nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit janë detyruar të braktisin sallën, me çka i pandehuri Konjufca ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.

Me këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, me datë, në kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, i pandehuri Konjufca gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë si kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq në kryerjen e detyrave zyrtare, ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.

Për këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” parashikuar nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img