Dëshmitari i gjashtë me radhë (me kodin 10) në gjykimin e Pjetër Shalës në Gjykatën Speciale, i pyetur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) se a kishte parë vet, me sytë e tij, ndonjë lloj keqtrajtimi në dhomën ku kishte qenë i ndaluar, ai u përgjigj me ‘‘po’’.
‘‘Vëllezërit romë i kanë rrahur me shufra gome dhe mu personalisht vetëm njëherë më kanë rrah”, tha ai.
I njëjti tha se nuk ka mundur të identifikoj se kush i kryente këto rrahje.
‘‘Nuk kom mujt me kqyr, kam qenë i kthyer ka zidi (muri) ashtu që se kemi pa kush ka qenë edhe kush s’ka qenë’’, tha tutje ai.
Po ashtu ai tha se kush kishte qenë në atë dhomë, të gjithë ishin rrahur.
Paraprakisht, dëshmitari tha se në momentin kur kishte mbërritur në dhomën ku ishte mbajtur si i ndaluar kishin qenë edhe rreth 7-8 persona.
Për pyetje të tjera lidhur me persona të tjerë, prokurori special Filippo De Minicis ka kërkuar të kalohet në seancë private.
Po ashtu, dëshmitari tha se para derës së dhomës kishte roje dhe se ata nuk ishin të lirë të hynin e të dilnin nga ajo dhomë por duhej të i thoshin rojës për këtë.
Ai tha se përveç për të marr ujë dhe për të shkuar në tualet, ata nuk kishin të drejtë të dilnin jashtë, përveç që përmendi faktin se vëllezërit romë detyroheshin të dilnin për të pastruar oborrin.
I njëjti tha se jashtë dhomës dilnin edhe kur i merrnin në pyetje, i cili proces sipas tij zhvillohej në një ambient tjetër.
Ai tha se atë e kishin marr në pyetje vetëm njëherë kurse kur dëshmitari me kodin 11 filloi të përmendte personat e tjerë se kush ishte marr në pyetje, DhSK vendosi që kjo të ketë përmbajtje të redaktuar dhe më pas është kaluar në seancë private.
Ndërkaq më herët, dëshmitari përmes një fotografie (jo publike) ka identifikuar hyrjen e ndërtesës në të cilën është mbajtur i ndalur dhe ka vizatuar një rreth në të.
‘‘Dëshmitari ka bërë shenjë te ndërtesa në anën e djathtë të saj pas dritares së dytë në krahun e djathtë, këtë përshkrim mund të jap unë’’, tha kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Mappie Veldt-Foglia, tha dëshmitari, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
Suke u përgjigjur në pyetjet e ZPS-së, tha se ka qëndruar në fabrikën e metalit në Kukës më shumë e 1 muaj i mbyllur.
Duke qenë se seanca ka qenë me sesione private dhe përmbajtje të redaktuar, në pjesën publike dëshmitari tha se ka qëndruar në një dhomë brenda kësaj fabrike sa i kujtohej 1 muaj e 5 ditë.
Deri te kjo dhomë tha se ishte shoqëruar nga një person civil e që paraprakisht kishte qenë në një zyre në të cilën i ishin larguar lidhëset e këpucëve.
Ai tha se ndërtesa ishte një katëshe dhe se me të hyrë në atë ndërtesë kishte qenë një korridor i vogël dhe dhoma e mbyllur në të majtë të cilën e përshkroi se ishte ‘‘4 me 4’’.
I njëjti tha se gjatë kësaj periudhe, nga zyra deri tek dërgimi në dhomë nuk iu ishte bërë ndonjë pyetje nga askush.
Dëshmitari ka thënë ishte larguar nga Kosova për shkak të presionit nga paramilitarët serbë.
“Kishim presion prej paramilitarëve serbë dhe u detyrum me ikë, me pshtu familjen”, ka thënë dëshmitari.
Ai paraprakisht tha se nuk ka qenë anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), por se para se të largohej për në Shqipëri, kishte qenë në Kosovë kur NATO kishte filluar fushatën bombarduese.
“Po, kam qenë deri më 27 prill në Kosovë, më 27 prill 1999 kam dalë me familje në Shqipëri”, shtoi ai.
Pas kësaj, prokurori nga ZPS, Filippo De Minicis ka kërkuar që të kalohet në seancë private.