Dëshmitari i dytë i mbrojtur në rastin e Salih Mustafës ka thënë se nuk ka njohuri nëse ndonjë person është mbajtur i ndaluar në kompleksin në Zllashë.
Ai derisa i është përgjigjur pyetjeve të avokatit mbrojtës të Mustafës, ka thënë se nuk ka dëgjuar ndonjëherë për diçka të tillë.
Avokati Von Bone: Zoti dëshmitar, me aq sa di ti a është mbajtur ndonjë person i ndaluar ndonjëherë në kompleksin e Zllashit?
Dëshmitari: Nuk e di që është mbajtur, nuk kam njohuri që ka pasur diçka të tillë aty.
Avokati Von Bone: A ke dëgjuar nga të tjerët për një gjë të tillë ndonjëherë?
Dëshmitari: Nuk kam dëgjuar asnjëherë.
Dëshmitari i mbrojtur ka thënë se pjesëtarët e njësisë BIA kanë bartur uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Avokati e ka pyetur dëshmitarin se nga e di ai që baza ishte nën kontrollin e BIA-s.
Avokati Von Bone: Baza për të cilën ke folur, kompleksi për të cilin ke folur a ke dijeni ti nëse ka qenë nën kontrollin e njësisë BIA? Nga e di ti këtë që kjo bazë ishte nën kontrollin e BIA-s, baza për të cilën folëm më herët?
Dëshmitari: Po të kundërpërgjigjem në pyetje, nga e di kush është kryetar i komunës këtu në këtë vend, ju nga e dini..
Këtu ka ndërhyrë kryetarja e turpit gjykues duke i kërkuar dëshmitarit që të përgjigjet dhe jo të bëjë pyetje.
“Shumë thjeshtë, e kemi dite se BIA ka qenë baza e skifterëve ka qenë në atë pjesë atje, e ka ditë çdo ushtar, e kam ditë edhe unë, ndoshta edhe shumë qytetarë e ka ditë që ka qenë baza e BIA, ata kanë komanduar në atë pjesë aty, në atë lokacion”, ka thënë dëshmitari, transmeton KP.