Në dosjen e tyre përfundimtare, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) thotë se pas rrjedhjes së dokumenteve, i zhvendosën dy dëshmitarë e ndërmorën masa sigurie ose mbrojtëse përveç zhvendosjes lidhur me 20 deri në 30 dëshmitarë.
Ndryshe, kjo prokurori ka kërkuar që ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati e Nasim Haradinaj të dënohen me nga gjashtë vite burgim dhe nga 100 euro gjobë.
Sipas ZPS-së, pas publikimit të dokumenteve nga OVL e UÇK-së në shtator të 2020-ës, disa dëshmitarë të ZPS-së thirrën anëtarët e stafit të prokurorisë, duke përfshirë oficerin e atëhershëm të sigurimit të dëshmitarit, udhëheqësin aktual të ekipit të sigurisë së dëshmitarëve, Miro Jukiq dhe shprehën zemërimin, shqetësimin dhe frikën për faktin që emrat e tyre janë publikuar në mediet në Kosovë dhe rajon.
Prokuroria thotë se thirrje të tilla nga dëshmitarët në ZPS filluan në të njëjtën ditë kur u mbajt konferenca e parë për shtyp, me një dëshmitar të tillë që kërkoi një takim po atë ditë dhe Jukiq më pas e drejtoi takimin.
“Një nga personat që kontaktoi ZPS-në i tha Jukiqit se kishte besuar në ZPS, por emri i tij tani ishte publik dhe familja e tij ishte në rrezik, duke theksuar se ai e dinte se çfarë ndodhi me dëshmitarët në Kosovë, gjë që Jukiq e kuptoi si referencë për dëshmitarët që ishin kërcënuar gjatë procedurave ligjore në Kosovë”, thuhet në dosjen përfundimtare të prokurorisë.
Sipas prokurorisë, nga 24 shtatori 2020, Jukiq, oficerë sigurie për dëshmitarë, prokurorë dhe hetues, me ndihmën e përkthyesve ose asistentëve të gjuhës, kontaktuan persona të cilët kishin dhënë deklarata në ZPS, të cilat përmendeshin në dokumentet e bëra publike gjatë konferencës së tretë për shtyp.
“Kjo u finalizua në mesin e dhjetorit të vitit 2020. Këto kontakte janë bërë kryesisht me telefon; disa takime janë mbajtur personalisht. Kontaktimi i personave ishte prioriteti më i lartë për ZPS-në në atë kohë dhe kërkonte kohë. Disa pjesëtarë të stafit që kishin punuar në distancë për shkak të pandemisë ishin të detyruar të raportonin në zyrat e ZPS -së për qëllime të kryerjes së kësaj detyre”, thuhet nga prokuroria, raporton “Betimi për Drejtësi”.
ZPS thotë se disa persona të kontaktuar nga ta, shprehën frikën dhe u ndjenë të kërcënuar pas publikimit të emrave të tyre, e disa ishin të mërzitur për faktin se emrat e tyre ishin përfshirë në dokumentet e bëra publike nga OVL-UÇK dhe i kërkuan ZPS-së që të mos kontaktojë më me ta.
“Publikimi i emrave të personave nga OVL-UÇK largoi disa persona nga angazhimi i mëtutjeshëm me ZPS-në. Dhjetëra nga dëshmitarët me të cilët ZPS ishte në kontakt pasi dokumentet konfidenciale u bënë publike, bënë të ditur se ata ndjeheshin të shqetësuar, të stresuar, të pasigurt, të kërcënuar dhe/ose të frikësuar pas publikimeve”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Tutje, thuhet se shumica e personave të kontaktuar nga ZPS-ja kishin dëgjuar që OVL-UÇK kishte publikuar dokumentet në shtator 2020 përmes mediave e se miqtë apo familjarët kishin informuar disa persona të kontaktuar nga ZPS se emrat e tyre figuronin në këto dokumente.
Në vijim, prokuroria thotë se pas kontaktimit me personat e përmendur në dokumentet e bëra publike nga OVL-UÇK dhe si rezultat i publikimit të këtyre dokumenteve, ZPS-ja ndërmori disa masa.
Sipas tyre, këto masa përfshinin sigurimin e këtyre personave me numra të rinj telefoni dhe telefona për komunikim të sigurt për shkak të publikimit të dokumenteve, duke përgatitur plane për menaxhimin e rrezikut emergjent dhe zhvendosjen jashtë Kosovës.
Nga prokuroria në dosje thuhet se përgatitja e planeve të menaxhimit të rrezikut emergjent përfshiu punën e disa personave, duke përfshirë oficerët e sigurisë së dëshmitarëve dhe oficerët e sigurisë operacionale.
“Përgatitja e përshpejtuar e planeve të menaxhimit të rrezikut emergjent ishte një masë e nevojshme si rezultat i kësaj rrjedhjeje dhe u mor në lidhje me një numër të kufizuar të dëshmitarëve, niveli i rrezikut të të cilëve u rrit dhe që ishin të rëndësishëm për ZPS-në”, thuhet tutje.
Prokuroria thotë se një zhvendosje u zhvillua rreth [REDAKTUAR], ndërsa e dyta u bë [REDAKTUAR].
“Zhvendosja është një masë e jashtëzakonshme e mundësisë së fundit dhe ndërmerret vetëm kur ZPS nuk ka asnjë mundësi tjetër për të mbrojtur dikë në Kosovë, kjo masë justifikohet kur vlerësohet se ekziston një shkallë e lartë e kërcënimit ndaj dëshmitarit”, thuhet nga prokuroria.
Sipas tyre, për të përcaktuar nëse zhvendosja është e garantuar, prokurori dhe hetuesi përkatës janë të përfshirë me oficerët e sigurimit të dëshmitarëve, të cilët përgatisin një propozim në lidhje me zhvendosjen, i cili i dorëzohet te vet Prokurori i Specializuar.
Ndryshe, Gjykata Speciale ka caktuar pesë seanca, nga 14 deri më 18 mars, gjatë të cilave pritet që palët të paraqesin deklaratat e tyre mbyllëse.
Ky gjykim është i dyti që filloi në Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë.
Gjatë këtij gjykimi, fillimisht u paraqit deklarata hyrëse nga ana e prokurorisë, ku një pjesë të deklaratës hyrëse e bëri edhe vet Prokurori i Specializuara, Jack Smith.
Pas kësaj, u dëgjuan dëshmitarët e prokurorisë, ndër të cilët ishin edhe punonjësit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Zenka Pumper, hetuese dhe Miro Jukiq, udhëheqës i ekipit për sigurinë dhe trajtimin e dëshmitarëve.
Pas njoftimit për përmbylljen e çështjes së prokurorisë, mbrojtësit bënë mocione për rrëzim të akuzave, por këto mocione u refuzuan nga trupi gjykues, i kryesuar nga Charles L Smith II.
Tutje, u vazhdua me konferencë përgatitore të mbrojtjes, ku pas saj u mbajtën seancat ku mbrojtja paraqiti çështjet e tyre.
Ndër dëshmitarët e mbrojtjes që dëshmuan ishin edhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, aktualisht deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, si dhe një eksperte e sinjalizimit dhe ish-shefi i operacioneve në Zyrën e Prokurorit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ).
Pasi edhe mbrojtja njoftoi për mbylljen e çështjeve të tyre, tanimë do të procedohet me deklaratat përmbyllëse të prokurorisë e mbrojtjes.
Të akuzuarit vazhdojnë të gjenden nën masën e paraburgimin në selinë e paraburgimit në Hagë.
Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.
“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.