Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e kandidatit për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Qëndrim Kryeziu, i cili kishte kërkuar rinumërimin e plotë të votave preferenciale të kandidatëve të PDK-së në nivel vendi.
Në vendimin e saj, Supreme ka vlerësuar se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vepruar në përputhje me ligjin kur e refuzoi ankesën e Kryeziut.
Sipas Gjykatës, ankuesi nuk ka paraqitur prova të qarta dhe bindëse që do të dëshmonin shkeljet e pretenduara gjatë procesit të numërimit të votave. Për këtë arsye, pretendimet se është cenuar integriteti i procesit zgjedhor janë vlerësuar si të pabazuara.
Supremja ka konstatuar gjithashtu se gjendja faktike është vërtetuar drejt dhe se nuk ka pasur shkelje procedurale apo gabime që do të ndikonin në ligjshmërinë e procesit apo në të drejtat e ankuesit.
Me këtë vendim, mbetet në fuqi vendimi i PZAP-së për refuzimin e kërkesës për rinumërim të plotë të votave preferenciale brenda PDK-së.
