1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Gjykata supreme ia zbutë dënimin e ish-polici për vrasjen e punëtorit të kazinosë në Suharekë

Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të akuzuarit Shefki Spahiu dhe ka ndryshuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj ish-policit Shefki Spahiu, i dënuar për vrasje të rëndë duke ia shndërruar në 25 vite burgim.

Sipas vendimit të Supremes, kolegji i Gjykatës Supreme i kryesuar nga gjykatësja Mejreme Memaj është ndryshuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren PKR.nr.41/2019 të datës 24.09.2020, aktgjykimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës PAKR.nr.05/2021 i datës 16.02.2021 dhe aktgjykimi i Gjykatës Supreme të Kosovës PA.II.nr.2/2021 i datës 20.05.2021, përkitazi me vendimin për dënimin ashtu që për veprat penale vrasja e rëndë nga neni 179 par.1.4 të KPRK dhe manipulimi me prova nga neni 397 par.1 të KPRK për të cilat është shpallur fajtor Shefki Spahiu i shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 25 (njëzetepesë) vitesh, në të cilin dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej datës 17.03.2019 e tutje.

Në një vendim të po kësaj Gjykate më herët, ishte vendosur që të lihet në fuqi dënimi me burgim të përjetshëm ndaj ish-policit për vrasjen e punëtorit të kazinosë në Suharekë duke ndryshuar aktgjykimet në fjalë përkitazi me cilësimin juridik të veprës penale të vrasjes së rëndë, ashtu që këtë vepër penale juridikisht e ka cilësuar si vepër penale vrasja e rëndë nga neni 179 par.1.4 të KPRK

Kundër këtyre aktgjykimeve, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë kishte paraqitur mbrojtësi i të dënuarit, avokati Emrush Kastrati nga Prishtina, për shkak të shkeljes së ligjit penal, shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljeve tjera të dispozitave të procedurës penale, me propozim që të anulohet dhe çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.

Gjykata Supreme e Kosovës, në seancën e kolegjit, pasi shqyrtoi të gjitha shkresat e çështjes në kuptim të dispozitës së nenit 435 par.1 lidhur me nenin 436 par.1 të KPPK, vlerësoi pretendimet nga kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë, dhe konstatoi se kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë është pjesërisht e bazuar.

Gjykata Supreme sa i përket shkeljes së ligjit penal, vendosi se është bërë në dëm të të dënuarit pasi që gjykata e shkallës së parë me rastin e vendosjes për llojin dhe lartësinë e dënimit ka marrë për bazë vetëm rrethanat rënduese dhe disa prej tyre gabimisht i ka cilësuar si të tilla. Njëra prej rrethanave rënduese, sipas gjykatës, ka qenë vetëkënaqësia e të dënuarit me rastin e kryerjes së veprës penale. Po ashtu rrethanat tjera të cilat gabimisht janë vlerësuar si rënduese janë se në kohën e kryerjes së veprës penale i dënuari ka qenë pjesëtar i policisë, sepse në atë moment ai nuk ka qenë në detyrë dhe fakti se ka manipuluar me prova duke tentuar që ti fsheh, sepse këto janë elemente të veprës tjetër penale për të cilën është gjykuar me të njëjtin aktgjykim. Gjykata e shkallës së dytë dhe të tretë nuk i kanë evituar këto shkelje.

“Sipas vlerësimit të kësaj gjykate nuk është vërtetuar se i dënuari veprën penale e ka kryer nga “vetëkënaqësia” dhe nuk është e qartë se çka është nënkuptuar me këtë termë. Edhe pse gjykata e shkallës së parë rrethanat tjera të cekura më lartë, shprehimisht nuk i ka cilësuar si rrethana rënduese por vetëm i ka vlerësuar, ato nuk kanë mundur të kenë ndikim aq të theksuar në shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm, sepse fakti se viktima ka qenë e pambrojtur është element cilësues i veprës penale për të cilën i dënuari është shpallur fajtor, shkatërrimi i provave nuk paraqet “sjellje të dënuarit pas kryerjes së veprës penale” sepse është vepër e veçantë për të cilën ai po ashtu është gjykuar, e fjala është për manipulim me provat.”, thuhet në arsyetimin e këtij vendimi.

Tutje, për veprën penale vrasje e rëndë nga neni 179 par.1.4 të KPRK ligji e ka paraparë dënimin me burgim të përjetshëm, andaj kushti i parë është i plotësuar.

Kushtet tjera të cilat ligji i parasheh për shqiptimin e këtij dënimi janë që vepra penale të jetë kryer në rrethana veçanërisht të rënda ose që vepra penale të ketë shkaktuar pasoja shumë të rënda.

Në rastin konkret, sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, nuk behët fjalë për rrethana “veçanërisht të rënda” nën të cilat është kryer vepra penale e vrasjes së rëndë. Ardhja e të dënuarit në kazino kinse për të kërkuar një telefon, veprimi i papritur i shtënies nga revolja në tani të ndjerin në momentin kur ai këtë nuk e ka pritur, nuk i ka dhënë shkas të dënuarit për veprimin e këtillë, paraprakisht e ka shërbyer me ujë dhe kafe, ka qenë i ulur duke e shikuar telefonin, tregojnë për vepra penale është kryer në mënyrë dinake, që dallon nga vepra penale e vrasjes nga neni 178 të KPRK, gjegjësisht është një vrasje e cilësuar. Megjithatë, rrethanat të cilat ceken në nenin 44 të KPK duhet jenë edhe më të rënda, më rënduese-“veçanërisht të rënda” për te veçuar rastin nga rastet tjera me të njëjtin kualifikim ligjor dhe për të arsyetuar shqiptimin e dënimit më të rëndë

Nga këto arsye gjykata Supreme gjeti se në rastin konkret është shqiptuar dënimi me burgim të përjetshëm edhe pse nuk janë plotësuar kushtet nga neni 44. të KPK dhe në dëm të dënuarit është bërë shkelje e ligjit penal nga neni 385.pika 4.të KPPK ashtu që vendosi që me aprovimin e kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë aktgjykimet të ndryshohen në pikëpamje të vendimit për dënimin.

Gjykata Supreme vendosi që të dënuarit t`i shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 25 (njëzetepesë) vitesh sipas nenit 45 të KPPK për veprën penale vrasje e rënd nga neni 179 par.1 pika 4 të KPRK.

Gjykata, nuk mori parasysh pretendimet për shkelje të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljeve tjera të dispozitave të procedurës penale duke shtuar se vlerësimi i provave të administruara në shqyrtimin kryesor dhe seancat të shkallës së dytë dhe të tretë, është bërë veç e veç, por edhe në lidhmëni njëra me tjetrën andaj nuk ka pasur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale e po ashtu edhe çështja e shëndetit mendor, dashjes dhe qëllimit të të dënuarit, siç del nga aktgjykimi i shkallës së parë, por edhe nga aktgjykimet tjera që kundërshtohen, rezulton se janë trajtuar dhe për ato është dhënë arsyetimi ligjor.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren më 24 shtator 2020 Shefki Spahiun e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Ndërsa më 2 prill 2021, Gjykata e Apelit e kishte refuzuar ankesën e mbrojtjes së Spahiut dhe kishte vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.

Aktakuza për këtë rast ishte ngritur më 31 maj 2019, nga Prokuroria Themelore në Prizren me arsyetimin se zyrtari policor Shefki Spahiu, më 17 mars 2019, në Suharekë, në një kazino e cila gjendet në rrugën e Reshtanit, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore, me dashje dhe në mënyrë dinake privon nga jeta punëtorin e kazinosë, Jetmir Aliaj.

Sipas aktit akuzues, Spahiu pasi qëndroi në kazino, papritur, duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e Jetmir Aliajt, në mënyrë dinake e kishte nxjerrë armën-pistoletën e markës “Glock”, të cilën e kishte të gatshme për shkrepje dhe nga një distancë 1 metër kishte shtënë një herë në pjesën ballore të kokës, duke shkaktuar vdekjen e viktimës.

Ndërsa sipas pikës së dytë të aktakuzës, Spahiu akuzohej se pas kryerjes së vrasjes, kishte hyrë në dhomën ku kanë qenë të vendosura pajisjet e kamerave të kazinosë dhe kishte shkatërruar, dëmtuar dhe fshehur provat, me qëllim të pa mundësimit të shfrytëzimit të dëshmive në procedurë zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se polici kishte marrë dy shtëpiza të kompjuterit, duke i larguar dhe demoluar kabllot, dy UPS dhe të gjitha këto i kishte vendosur në bagazhin e automjetit të cilën e kishte parkuar prapa kazinosë, ku pas largimit këto dëshmi i kishte hedhur në lumin Taplluha, në dalje të fshatit Neprebisht të Komunës së Suharekës./BetimipërDrejtësi

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img