Paneli i Gjykatës Supreme të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), më 18 shtator ka hudhur poshtë kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Kjo është bërë e ditur, në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Më 18 shtator 2023, Paneli i Gjykatës Supreme i përbërë nga gjykatëset Ekaterina Trendafilova (Kryegjykatëse) dhe Kristinë van den Vajngart dhe nga gjykatësi Daniel Fransen, hodhën poshtë kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga Gucati dhe nga Haradinaj në bazë të nenit 48(6), (7) dhe (8) të Ligjit”, thuhet në njoftim.

Aty thuhet se në vendim, Paneli fillimisht refuzoi kërkesën për mbajtjen e një seance gojore, të cilën e konstatoi të pathemeltë.

Po ashtu, thuhet se u refuzua gjithashtu edhe kërkesa e Gucatit që një i pandehur tjetër (Dritan Goxhaj) të përfshihet si palë e tretë në këtë proces.

Sipas Panelit, Gucati nuk ka të drejtë ligjore ta paraqesë këtë kërkesë dhe shtoi se”Nuk i takon Gucatit të kërkojë të mbrojë interesat e perceptuara të një të akuzuari tjetër në kuadër të kërkesës së vetë”.

Sa u takon arsyeve konkrete mbi të cilat u bazuan kërkesat (7 nga secili parashtrues), Paneli ka rrëzuar ato, duke konstatuar se nuk është bërë shkelje e së drejtës penale dhe as shkelje thelbësore e procedurave nga ana e trupit gjykues dhe Panelit të Gjykatës së Apelit, ose duke i konstatuar ato të papranueshme.

Ndryshe, Hysni Gucati dhe Haradinaj kishin dorëzuar kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë më 2 dhe 3 maj 2023. Kurse, kryetarja e DhSK-së, Ekaterina Trendafilova më 4 maj kishte caktuar panelin e Gjykatës Supreme për të vendosur mbi kërkesat e tyre.

Por, prokurori i specializuar Alex Whiting, më 5 maj kishte dorëzuar një kërkesë që të urdhërohet ridorëzimi i kërkesave për mbrojtjen e ligjshmërisë në rastin e Gucatit dhe Haradinajt.

Supreme më 8 maj kishte vendosur që të pranohet pjesërisht kërkesa e ZPS-së, duke urdhëruar Haradinajn që të ridorëzojë kërkesën e tij për mbrojtjen e ligjshmërisë për të siguruar që është në pajtueshmëri me kufirin prej 9 mijë fjalësh, jo më vonë se 10 maj.

E që Haradinaj kishte ridorëzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të cilën mund ta gjeni: KËTU.

Ndryshe, më 18 maj 2022, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, është shpallur aktgjykimi në shkallë të parë, ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, ku trupi gjykues i shpalli fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim, dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin. Ndërkaq, u liruan nga përgjegjësia penale për hakmarrje.

Por që, Paneli i Apelit në Hagë, më 2 shkurt 2023 ka ulur dënimin për nga tre muaj ndaj Gucatit dhe Haradinajt, ashtu që u dënuan me nga 4 vjet e 3 muaj burgim (secili veç e veç). Ndërsa, la në fuqi dënimin me gjobë në shumën prej 100 euro për secilin veç e veç.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinajn, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkoheshin se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.