Gjykata Speciale ka intensifikuar procedurat gjyqësore ndaj ish-pjestarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa ndaj të cilit kjo gjykatë ka ngritur aktakuzë për krime lufte dhe që aktualisht po e mban në paraburgim.
Me datat 9, 10 dhe 11 qershor, ndaj Mustafës janë caktuar pesë seanca ndaj Mustafës dhe e para do të fillojë të mërkurën në ora 09:30 e cila do të jetë Konferencë përgatitore për gjykimin.
Të enjtën, Specialja ka planifikuar dy seanca ndaj Mustafës, por njëra ende nuk është konfirmuar.
“Prokurori k. Mustafës – Konferencë përgatitore për gjykimin 09:30 (mbetet për t’u konfirmuar)”, thuhet në njoftimin e Speciales, derisa është konfirmuar një seancë e mbyllur (ex parte) në ora 14:30.
Njëlloj qëndron situata edhe me të premten. Një seancë e planifikuar ‘ex parte’ dhe e mbyllur ndaj Mustafës në ora 09:30 nuk është konfirmuar ende, por në ora 11:30 do të ketë një seancë të mbyllur ndaj tij, gjithashtu ‘ex parte’.
Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020. Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash.
Salih Mustafa akuzohet për krime të luftës si: Ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Cilat ishin zhvillimet procedurale në çështjen Sali Mustafa:
Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.
Seanca e paraqitjes së parë të Mustafës u mbajt më 28 shtator 2020 para gjykatësit të procedurës paraprake, Nikola Giju. Në paraqitjen e tij të mëtejshme, më 28 tetor 2020, Mustafa u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Palët i dorëzuan (si konfidenciale) versionet e tyre të fundit të dosjeve paraprake, më 22 shkurt 2021 (Zyra e Prokurorit të Specializuar) dhe më 6 maj 2021 (Mbrojtja).
Më 30 prill 2021, gjykatësi i procedurës paraprake miratoi kërkesat e pesë viktimave dhe i pranoi ato si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor, Grupi I.
Më 7 Maj 2021, gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues I.
Më 21 maj 2021, trupi gjykues miratoi kërkesat e katër viktimave tjera dhe i pranoi ato si viktima pjesëmarrëse në procedura si pjesë e Grupit 1. Trupi gjykues gjithashtu zgjati afatin për viktimat për të aplikuar deri në mbylljen e çështjes së Prokurorit të Specializuar.
Konferenca përgatitore në këtë çështje është caktuar për datën 9 qershor 2021 ndërsa seancat shtesë më 10 dhe 11 qershor.