-2.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Gjykata Speciale përcakton kohën e zgjedhjeve nacionale

Kosova mund të përballet me situata të paparashikueshme gjatë vitit 2017, për shkak të fillimit të punës së Gjykatës Speciale, thonë analistët politikë.

Sipas tyre, ka zhvillime që mund të parashikohen, siç është vazhdimi i dramës politike rreth demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por do të ketë edhe zhvillime të paparashikueshme, të cilat mund ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve.

Analisti politik, Arben Qirezi, mendon se në këtë vit Kosovën e presin në radhë të parë paqartësi, për shkak të zhvillimeve që mund të pasojnë fillimin e punës së Gjykatës Speciale për krime lufte.

Por, pavarësisht zhvillimeve që mund të pasojnë Gjykatën Speciale, Qirezi mendon se top-prioriteti i këtij viti duhet të jenë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Njëri prej prioriteteve kryesore të Kosovës duhet të jetë organizimi i zgjedhjeve të lira. Është një proces, të cilin unë e konsideroj të pashmangshëm dhe në këtë rrafsh mendoj që partitë politike duhet të jenë të përgatitura. Prioriteti i dytë konsideroj që është ruajtja e stabilitetit të brendshëm, sidomos për sa i përket raporteve me Serbinë dhe së treti, natyrisht që mendoj se prioritet duhet të jetë integrimi i veriut të vendit”, thotë Qirezi, për Radion Evropa e Lirë.

Qirezi vlerëson se çështjet si ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk do të duhej të ishin prioritete të dorës së parë për vitin 2017, marrë parasysh se për këto tema, institucionet e Kosovës nuk gjetën zgjidhje gjatë gjithë vitit 2016.

Ai pret që vetëm një qeveri e re, e dalë pas procesit të zgjedhjeve, do të mund t’i adresonte çështjet më të ndjeshme, duke mos besuar në fuqinë e qeverisë aktuale për zbatimin e këtyre marrëveshjeve.

“Në mandatin e kësaj qeverie nuk është arritur as liberalizimi i vizave. Domethënë, kjo qeveri ka dështuar në realizimin e të gjitha prioriteteve të saj. Kur ia shtojmë kësaj tani edhe fillimin e punës së Gjykatës Speciale, kjo do të ketë një efekt destabilizues në tërë politikën kosovare dhe natyrisht ky efekt destabilizues do të ndihet më së shumti në kuadër të koalicionit qeverisës, kështu që zgjedhjet e parakohshme, mendoj se do të jenë të pashmangshme”, thekson Qirezi.

Ndërkaq, analisti tjetër politik, Artan Muhaxhiri, mendon se zhvillimet politike që kanë përshkuar vitin 2016, do të vazhdojnë edhe këtë vit. Para së gjithash, ai mendon se çështja e Demarkacionit dhe Asociacioni i komunave serbe do të mbizotërojnë sërish agjendën politike. Por, si sfidën më të madhe, Muhaxhiri e parasheh nisjen e punës së Gjykatës Speciale.

“Çështjet kryesore do të jenë zgjidhja e Demarkacionit me Malin e Zi dhe ajo e Asociacionit të komunave serbe. Por, po ashtu, një temë tjetër, e cila është e një rëndësie të veçantë dhe e cila pritet që do t’i diktojë edhe zhvillimet politike në Kosovë është çështja e Gjykatës Speciale”, thekson Muhaxhiri.

Tutje, Artan Muhaxhiri thotë po ashtu se problem më vete po paraqet edhe mosfunksioni, sipas tij, i Qeverisë së Kosovës. Ai mendon se koalicioni aktual, pavarësisht se përbëhet nga dy partitë më të mëdha në vend, më shumë po krijon sesa që po zgjidh probleme. Andaj, një gjendje e tillë do të vazhdojë edhe këtë vit, thotë Muhaxhiri, duke besuar se në një fazë do të jetë e domosdoshme edhe ndërhyrja politike ndërkombëtare.

“Për fat të keq edhe në vitin 2017 do të jemi të detyruar që në mënyrë pasive t’i presim imputet dhe urdhëresat nga bashkësia ndërkombëtare sa i përket zhvillimeve politike në Kosovë, sepse skena politike kosovare është duke u shfaqur krejtësisht e paaftë që t’i zgjidhë problemet dhe që të japë ide konkrete, orientime për mënyrën e zgjidhjes së problemeve”, deklaron Muhaxhiri.

Përderisa opinionistët shprehen mjaft pesimistë se koalicioni aktual do të mbijetojë deri në fund të mandatit, kryeministri Isa Mustafa është shprehur i bindur se agjenda politike dhe prioritetet e qeverisë së tij, do të zbatohen gjatë këtij viti.

Mustafa ka theksuar se viti 2017, mes tjerash do të jetë vit i zhvillimit, por edhe i lëvizjes së lirë, pa viza.

”Besoj shumë se në vitin 2017 do të kemi suksese, do të jetë vit i lëvizjes së lirë, vit i punës dhe i zhvillimit. Andaj, të punojmë me përkushtim dhe dashuri për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe për shtetin tonë”, ka deklaruar Mustafa.

Sidoqoftë, pavarësisht zhvillimeve të paparashikueshme që eventualisht mund të sjell Gjykata Speciale, një sfidë më vete për skenën politike në Kosovë mbetet gjetja e rrugës së bashkëpunimit ndërmjet pushtetit dhe opozitës për disa çështje, të cilësuara të interesit madhor, siç janë dialogu me Serbinë dhe marrëveshjet që prodhon ai, pastaj liberalizimi i vizave dhe demarkacioni, si dhe themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, që kërkon edhe mbështetjen e përfaqësuesve të pakicave.(REL)

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img