1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Gjykata Speciale, mbrojtja e krerëve të UÇK-së kërkon që Prokuroria t’i shpalosë provat që ka marrë nga Serbia

Ekipet mbrojtëse të akuzuarve në Hagë së bashku kanë kërkuar që Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) të urdhërohet që t’i shpalosë materialet që posedon nga Serbia dhe që synon t’i përdorë në procesin gjyqësor kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët tash e një vit e gjysmë po mbahen në paraburgim.

Kërkesa është dorëzuar nga avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, në emër të ekipeve mbrojtëse në rastin “Hashim Thaçi dhe të tjerët”.

Në përputhje me Rregullën 103 dhe Rregullën 102(3), ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kanë kërkuar zbulimin e prejardhjes së çdo materiali që Zyra e Prokurorit të Specializuar ka në posedim, origjina e të cilit është dyshuar të jetë Republika e Serbisë, ose e ndonjë prej organeve a institucioneve të saj të kaluara dhe të tashme.

Në kërkesën me shkrim të parashtruar nga avokatët, e cila është publikuar në faqen e Dhomave të Specializuara, thuhet se Serbia mbetet e angazhuar në një fushatë të vazhdueshme dezinformimi kundër Kosovës dhe UÇK-së, me qëllim të destabilizimit të shtetit.


Ben Emmerson – avokat i Kadri Veselit

“Në një gamë të gjerë vendesh të lidhura me konfliktin e viteve 1998-1999, Serbia ka përdorur vazhdimisht mjete mashtruese për të inkriminuar UÇK-në, për të minuar pavarësinë e Kosovës dhe për të shmangur përgjegjësinë për krimet e veta. Në veçanti, ajo ka kryer operacione të rreme, ka manipuluar skenat e krimit dhe ka siguruar dëshmi të rreme nëpërmjet torturës dhe detyrimit, duke ngritur shqetësime të bazuara në lidhje me besueshmërinë e informacionit që buron nga ky burim”, thuhet në shkresën e ekipeve mbrojtëse.

Avokatët e të akuzuarve në Hagë kanë pohuar se Task Forca Speciale Hetimore, e më pas Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), kanë marrë një sasi të panjohur por të konsiderueshme të provave përmes marrëdhënieve të tyre bashkëpunuese me Serbinë.

Mbrojtja thotë se synon të kundërshtojë prova të tilla, por shton se zbulimi i ofruar për Mbrojtjen deri më sot është i paplotë dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka treguar gatishmëri për të qenë transparente në lidhje me marrëdhëniet e saj me Serbinë dhe për të përmbushur kërkesat e Mbrojtjes.

Ekipet mbrojtëse të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit më tej kanë kërkuar nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake që ta urdhërojë ZPS-në të zbulojë natyrën dhe shtrirjen e marrëdhënieve të Task Forcës Speciale Hetimore dhe ZPS-së me Serbinë, përfshirë bazën e saj ligjore, dhe veçanërisht materialet e nevojshme që Mbrojtja të kuptojë kushtet mbi të cilat informacioni u kërkua dhe u pranua, pasi kjo ka të ngjarë të ndikojë në kredibilitetin dhe besueshmërinë e saj.


Ndërtesa e Gjykatës Speciale, Hagë.

Ekipet mbrojtëse thonë se po ngrehin këtë çështje tani, pasi që pozicioni i ZPS-së në lidhje me marrëdhëniet e saj me Serbinë, dhe provat që burojnë nga Serbia rrezikojnë dëme të pakthyeshme për integritetin e këtyre procedurave.

“Më 11 prill 2022, ZPS, me e-mail, refuzoi të zbulonte një material të tillë, duke pretenduar se Mbrojtja kishte dështuar të demonstronte se marrëdhënia e ZPS-së me Serbinë ‘pa më shumë’ ndikoi në besueshmërinë ose kredibilitetin e provave të marra nëpërmjet kësaj marrëdhënieje. Megjithatë, ajo konfirmoi se asnjë provë nga Serbia nuk po fshihej në përputhje me Rregullën 107.6.”, thuhet në shkresën e tyre.

Mbrojtja thotë se, në përputhje me Rregullën 103, ka të drejtë për të gjithë materialin që buron nga shteti serb, organet e tij dhe institucionet e saj, së bashku me prejardhjen e çdo materiali të tillë në të cilin ZPS është mbështetur, ose do të kërkojë të mbështetet, direkt ose indirekt në këtë rast.

Refuzimi aktual i ZPS-së për të dhënë atë informacion, sipas ekipeve mbrojtëse, mbështetet në një trillim se marrëdhënia e saj me Serbinë është e ngjashme me çdo ofrues tjetër informacioni.

Ndërkaq, ekipet mbrojtëse kanë rikujtuar se gjatë konfliktit të viteve 1998-1999 shteti serb ishte kundërshtar i drejtpërdrejtë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe të akuzuarve në veçanti, dhe pohon se ajo mbetet një aktore e anshme edhe sot për çështjet që lidhen me atë konflikt. /Dukagjini/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img