Me rastin e përpilimit të aktgjykimit në rastin e njohur si “53-milionëshi”, Gjykata Themelore në Prishtinë ka treguar edhe gjetjet e saj nga mbrojtja e të akuzuarve Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, për të cilët ka shpallur aktgjykim dënues.
Në aktgjykim thuhet se prej mbrojtjes së dhënë nga i akuzuari Lekaj, Themelorja ka gjetur se me asnjë provë të vetme nuk ka arritur që të vërtetojë pretendimin se nga qeveritë e kaluara i është mbetur borxh “Bechtel and Enka” dhe se çështja mund të përfundojë në Arbitrazh.
Pas administrimit të provës- raportit nga Thesari i Kosovës i pagesave të ekzekutuara për “Bechtel & Enka”, gjykata ka vërtetuar faktin se Thesari i Kosovës duke vepruar sipas kërkesës së Prokurorisë të 15 shkurtit 2021, më 19 shkurt 2021 ka dorëzuar raportin e përmbledhur të pagesave për Bechtel & Enka për kontratën e lidhur me Ministrinë e Infrastrukturës.
Aty thuhet se nga kjo provë gjykata ka vërtetuar faktin se pagesat për vitin 2014-2015 dhe 2016 që janë realizuar në llogari të kompanisë, arrijnë në vlerë më shumë se gjysma e vlerës së kontratës. Andaj, thuhet se nuk qëndrojnë pretendimet e Lekajt që qeveritë e mëhershme kanë pasur vonesa në pagesat e faturave në këtë projekt.
Po ashtu, Themelorja konstatoi se nuk qëndron as pretendimi i Lekajt se në kohën e marrjes së mandatit pas daljes në terren vetëm 10% e punëve kanë qenë të kryera në terren dhe se ky deklarim i tij thuhet se ka pasur për qëllim shmangien e përgjegjësisë penale, ngase këto pretendime nuk janë arsyetuar me asnjë provë të vetme.
Sipas gjykatës, Lekaj nuk i ka ofruar gjykatës as një faturë të vetme të mospagesës nga qeveritë e kaluara për këtë projekt e as një shkresë të “Bechtel & Enka” që Qeveria e Kosovës i ka mbetur borxh për këtë projekt, për vitet që i njëjti pretendon.
Sipas Gjykatës, pretendimin se çështja mund të përfundojë në arbitrazh Lekaj e ka bazuar vetëm në të thënat nga përfaqësuesit e “Bechtel and Enka” dhe se të thënat pa u deponuar me shkrim sipas gjykatës nuk kanë rëndësinë e provës.
“…i pandehuri P.L është përgjigjur se nuk kemi as një shkresë për këtë çështje, por vetëm verbalisht na kanë thënë përfaqësuesi i “Bechtel Enka”, andaj sipas gjykatës fjalët e thëna të pa deponuara në letër nuk e kanë rëndësinë e provës në çështje penale…”, thuhet në vendim.
Prandaj, sipas gjykatës Lekaj nga provat materiale dhe ato personale është vërtetuar se ka pasur tendencë që të fsheh nga Komiteti Ndërministror opinionin e “Hill International” dhe se ka mohuar ekzistimin e kodit të mirësjelljes (kodi i cili ka rregulluar procedurat se si të veprohet me projektin për ndërtimin e autostradës).
Ansaj, sipas gjykatës një tendencë e tillë e vetëtuar qoftë nga provat materiale apo ato personale përbën rrethanë që mbrojtjes së Lekajt të mos i falet besimi pasi që qëllim të vetëm kishte ikjen nga përgjegjësia penale.
“…gjykata vlerëson se mbrojtja e tij e arsyetuar më lartë është bërë me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale për veprën penale për të cilën është shpallur fajtor dhe është dënuar sipas ligjit”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Kurse, nga mbrojtja e të akuzuarit Shatr, Gjykata ka gjetur se i njëjti ka nënshkruar marrëveshjen për zgjatjen e afatit të punimeve për kompaninë “Bechtel and Enka”, krejt kjo pas takimit të tij me të akuzuarin Lekaj dhe dëshmitarin Ramë Qupeva.
Gjithashtu, Themelorja ka gjetur se edhe përkundër ekzistimit të opinionit të “Hill International”, këtë opinion e ka shpërfillur pasi që ka pranuar të nënshkruar marrëvshjen për zgjatjen e afatit të punimeve.
Andaj, sipas gjykatës veprimi i Shatrit përmes nënshkrimit të marrëveshjes për zgjatjen e afatit të punimeve ka krijuar pasoja dhe atë në dëmtimin e buxhetit të Kosovës, duke u mundësuar pagesa shtesë prej 53 milionë eurosh për “Bechtel and Enka”.
Gjithashtu, Gjykata edhe në mbrojtjen e të akuzuarit Berisha ka gjetur se pretendimi i të Berishës se nuk e ka pranuar opionin e “Hill International” nuk qëndron pasi që nga dëshmitari Besnik Avdija është vërtetuar se çdo shkresë është përcjellë te i akuzuari Berisha.
Po ashtu, Gjykata ka gjetur se nuk qëndron pretendimi i të akuzuarit Berisha se nuk ka bërë presion te dëshmitari Avdi Kamerolli, pasi që ky i fundit në detaje ka sqaruar veprimin e kundërligjshëm të presionit për hartimin e opinionit ligjor.
Dhe në fund, nga mbrojtja e të akuzuarit Tahiri, Gjykata ka gjetur se njëjtë si Shatri edhe Tahiri e ka pranuar të nënshkruar marrëveshjen për zgjatjen e afatit të punimeve për “Bechtel and Enka” dhe se i njëjti me këtë veprim i është shmangur opinionit të “Hill International”.
Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, në cilësinë e këshilltarit të lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje.
Më 31 janar 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë, Lekajn e ka dënuar me 3 vite e 8 muaj burgim, Berishën me 3 vite e 3 muaj, kurse Shatrin dhe Tahirin me nga 1 vit e 8 muaj burgim./BetimipërDrejtësi