Gjykata e Apelit në Beograd hodhi poshtë thirrjen e mbrojtjes që Mlladiq të dalë të dëshmojë dhe të japë prova në mbështetje të dhjetë personave të akuzuar se e kanë ndihmuar atë të shmangte arrestimin ndërsa ishte në arrati nga akuzat për krime lufte midis viteve 2002 dhe 2006.
“Kjo nuk u propozua zyrtarisht para seancës së sotme dëgjimore, kështu që ne vendosëm ta refuzonim atë”, tha gjyqtari i Gjykatës së Apelit Omer Haxhiomeroviq.
Avokati mbrojtës Goran Petronijeviq u shpreh se dëshmia e Mlladiqit mund të ndihmojë në shfajësimin e të pandehurve.
“Mlladiqi e di më mirë nëse dikush e ka fshehur atë dhe kush”, tha Petronijeviq në Gjykatë.
Stanko Ristiq, Ljiljana Vaskoviq, Borislav Ivanoviq, Predrag Ristiq, Sasha Badnjar, Ratko Vuçetiq, Tatjana Vaskoviq Janjuseviq, Bojan Vaskoviq, Marko Lugonja dhe Blagoje Govedarica në maj të vitit 2006 u liruan të gjithë nga akuzat se kishin ndihmuar Mlladiqin të shmangte ata që e ndiqnin.
Ata ishin akuzuar se kishin ndihmuar Mlladiqin në periudha të ndryshme kohore midis vitit 2002 dhe 2006, edhe pse ata e dinin se Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë kishte lëshuar një urdhër arresti për të.
Ata u liruan nga akuzat pasi gjykata zbuloi se statuti i kufizimeve kishte skaduar.
Në fazat e mëparshme të çështjes, Marko Lugonja, një zyrtar i lartë i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, nuk mohoi se ai e kishte ndihmuar Mlladiqin, edhe pse të pandehurit e tjerë këmbëngulën se nuk e kishin bërë këtë gjë.
Në gjykatë të premten, i pandehuri Stanko Ristiq tha: “Unë jam i pafajshëm”.
Edhe të tjerët këmbëngulën gjithashtu se nuk ishin fajtorë.
Gjykata tani do të shqyrtojë vendimin e saj për këtë çështje.
Aktakuza fillestare pohoi se oficeri i Ushtrisë Serbe të Bosnjës Jovo Djogo ishte organizatori kryesor i përpjekjeve për të fshehur Mlladiqin, por ai vdiq gjatë gjykimit.
Mlladiq u arrestua në vitin 2011 në fshatin Lazarevo afër Zrenjaninit në Serbinë veriore pas 16 vjetësh në arrati.
Ai tani është në gjyq në Hagë për gjenocid në Srebrenicë, përndjekje të boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, e cila arriti shkallë gjenocidi në disa komuna të tjera, terrorizim të popullsisë së Sarajevës dhe pengmarrje të paqeruajtësve të OKB-së.
Mbrojtja dhe prokuroria dhanë deklaratat e tyre përmbyllëse në gjyqin e tij në dhjetor të vitit të kaluar.
Vendimi pritet të merret në nëntor. /Kallxo.com