0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Gjykata refuzon kërkesën e prokurorisë për ngrirjen e rreth 80 parcelave në Dukagjin

Prokuroria e Pejës i kishte kërkuar Gjykatës në Pejë që të lëshohet urdhër përfundimtar për ngrirjen e rreth 80 parcelave në rajonin e Dukagjinit. Prona këto që i kishte falur për ish-politikanë, artistë, avokatë etj, biznesmeni Agron Kelmendi.

Kërkesa e prokurorisë ishte drejtuar ndaj të pandehurit Agron Kelmendi dhe një numri të personave të tjerë të cilët i kishin pranuar pronat si dhuratë, që të ju ndalohet çdo transaksion me këto prona deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Lidhur me këtë çështje gjykata e ka refuzuar këtë kërkesë të Prokurorisë duke e cilësuar si të pabazuar.

“Refuzohet si e pabazuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Pejë për lëshimin e urdhrit kufizues përfundimtar ndaj të pandehurit Agron Kelmendi dhe ndaj personave tjerë..”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Pejës, të cilin e posedon Gazeta Express.

“Gjyqtari i procedurës, pas analizimit të shkresave të lëndës ka gjetur se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Pejë është e pabazuar”, thuhet në aktvendim.

Agron Kelmendi i dënuar me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë për veprën penale “uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme” dhe i vërtetuar nga Gjykata e Apelit në Prishtinë, ishte paraqitur kundër kërkesës së prokurorisë për lëshimin e urdhrit kufizues përfundimtar përmes të autorizuarës avokatës Qendresa Lajqi, duke theksuar se lidhur me rastin “janë marrë veprime hetimore nga Prokuroria Speciale për çka në rastin konkret kemi të bëjmë me çështje të gjykuar”.

Si rrethanë për refuzimin ngrirjes së pronave, Gjykata e ka marrë se në rastin konkret ka të bëjë me çështje të gjykuar. Po ashtu, gjykata ka theksuar se në vitin 2021 ishin hedhur poshtë akuzat e Prokurorisë Speciale kundër Kelmendit dhe se “askush nuk mund të ndiqet dhe të dënohet për vepër penale nëse është liruar ose për të cilën është dënuar me vendim të formës së prerë, përkatësisht nëse procedura penale kundër tij është pushuar me vendim të formës së prerë të gjykatës ose aktakuza është refuzuar me vendim të formës së prerë të gjykatës”.

“Gjykata ka marrë parasysh se i pandehuri Agron Kelmendi ishte i akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për shkak të veprës penale “krimi i organizuar”, lidhur me veprën penale të mashtrimit, shkelje e besnimit, uzurpim i paligjshëm i pronës dhe legalizim i përmbajtjes së rreme, mirëpo ndaj të njëjtit është pushuar procedura penale me Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë…Gjykata ka vlerësuar se në rastin konkret kemi të bëjmë me çështje të gjykuar pavarësisht kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë për lëshimin e urdhrit kufizues përfundimtar për pronat e cekura në kërkesën e Prokurorisë”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës së Pejës.

Si rrjedhojë, gjykata ka vlerësuar se “Konfiskimi i zgjedhuar siç parashihet në Ligj zbatohet për pasurinë e personave të dënuar për ndonjë nga veprat penale të parapara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”.

“Ndërsa, vepra penale “uzurpimi i paligjshëm i pronës së luajtshme”, për të cilën është dënuar i pandehuri Agron Kelmendi me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë dhe i vërtetuar nga Gjykata e Apelit, në asnjë mënyrë nuk mund ta justifikojë kërkesën e prokurorisë në rastin konkret ngase për të njëjtën vepër është dënuar me gjobë”, vijon tutje gjykata.

Kundër këtij aktvendimi është lejuar ankesa në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit, drejtuar Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes kësaj gjykate.

Gazeta Express kishte marrë prononcim nga disa prej personave që kishin pranuar këto parcela në formë dhurate nga Agron Kelmendi, i cili i kishte dhuruar ato për ata që i konsideron si kontribuues për vendin.

Ish-gjyqtari, Kadri Prekaj, kishte deklaruar se ka pranuar 3 ari e gjysmë tokë por që ia ka dhuruar dikujt që ka nevojë për të.

Ndërsa, aktori Çun Lajqi ka pohuar se pronën që ia kanë dhënë është në Istog dhe se nuk e ka pa kurrë.

Ish-deputeti i LDK-së, Fetah Rudi, i ka thënë Expressit se i ka pranuar 3 ari e gjysmë tokë. Madje këtë tokë ai edhe e ka deklaruar si donacion në vlerë prej 15 mijë euro në regjistrin për deklarimin e pasurisë.

3.5 ari tokë në Istog i ka pranuar edhe ish-deputeti i PDK-së, Andin Hoti, i cili i ka deklaruar si dhuratë në vlerë prej 20 mijë euro./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img