Ka përfunduar seranca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj dy serbëve, të arrestuar të hënën në protestat e dhunshme në Zveçan.
Lajmin për përfundimin e seancës e ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi, teksa theksoi se një vendim ndaj tyre pritet të merret gjatë ditës.
Lajmi për arrestimin e tyre u bë i njohur në raportin e djeshëm të Policisë së Kosovës.
“RREZIKIM I PERSONAVE NËN MBROJTJE NDËRKOMBËTARE & PJESMARRJE NË TURMË QË KRYEJNË VEPËR PENALE DHE HULIGANIZËM/ Prishtinë 29.05.2023 – 18:30. Për shkak të dyshimit se kanë qenë të përfshirë në sulme ekstreme të dhunshme me mjete shpërthyese, ndaj ushtarëve të KFOR-it, policisë dhe gazetarëve, dy meshkuj K-Serb me vendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës janë dërguar në mbajtje për 48 orë, përderisa të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt. Lidhur me rastin janë duke u kryer hetime të mëtejme, nga njësitet relevante policore”, ka njoftuar policia në raportin e saj 24-orësh.