Site icon PrishtinaPress

Gjykata pezullon vendimin për mbylljen e rrugëve

Gjykata Komerciale e ka aprovuar kërkesën e Grupit KOHA dhe e ka pezulluar vendimin e Komunës së Prishtinës me të cilin parashihej mbyllja e rrugës/rrugicat të cilat kalojnë/dërgojnë në parkun e Universitetit të Prishtinës dhe Bibliotekës Kombëtare nga 1 shtatori.

KOHA kishte kërkuar të pezullohej vendimi për shkak se mbyllja e rrugës që të çon drejt kampusit universitar do ta pamundësonte qasjen në parkingun që gjendet në objektin që shfrytëzohet nga kompania. Ankesë zyrtare për mbylljen e kësaj rruge kishte edhe nga Radio Kosova.

Komercialja ka vendosur që ta shtyjë vendimin e 18 gushtit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, derisa Gjykata të marrë vendim përfundimtar përkitazi me padinë e paditësit.

Gjykata i ka dhënë të drejtë kërkesës së KOHËS, pasi “paditësi ka argumentuar faktin se ekzekutimi i vendimeve do t’i sillte dëm i cili vështirë do të riparohej, si dhe ka argumentuar se shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik, e as që shtyrja do t’i sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare”.

“Gjykata Komerciale ka vlerësuar se ekzekutimi i vendimit kundërshtues, paditësit do t’i sillte dëm vështirë të riparueshëm pasi që ekzekutimi i vendimit do t’ia pamundësonte paditësit/propozuesit qasjen direkte në objektin e punës me veturat zyrtare të Grupit KOHA, e që do të shkaktonte çrregullime dhe vështirësi të cilat do të ndikonin drejtpërdrejt në funksionimin dhe ushtrimin e aktivitetit të rregullt të paditësit për marrjen e informacionit dhe informimit të publikut”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës.

Sipas Gjykatës, përveç kësaj, ekzekutimi i vendimit të kundërshtuar do të kishte pasoja financiare për paditësin pasi do të detyrohej t’i parkonte veturat zyrtare jashtë parkingut, ndërsa parkingu i objektit të Grupit KOHA do të mbetej i pashfrytëzuar.

Gjykata ka vlerësuar se Komunës nuk do t’i shkaktohej asnjë dëm nga shtyrja e ekzekutimit të këtij vendimi.

Komericalja e ka shtyrë në tërësi ekzekutimin e vendimit që u publikua në uebfaqen e Komunës më 21 gusht. Rruga “Rexhep Luci” nga tuneli deri te sheshi dhe rruga “Qamil Hoxha” nga kthesa e rrugës deri tek sheshi do të vazhdojnë të jenë të qasshme për veturat deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës.

Të premten, banorët e “Rexhep Lucit” protestuan kundër mbylljes së kësaj rruge. Pas disa orësh, ata liruan hapësirat.

Exit mobile version