0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Gjykata në aksion – Konfirmohet aktakuza për korrupsion ndaj ish-zëvendësministrit

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën për korrupsion ndaj ish-zëvendësministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Engelbert Zefaj.

Kjo pasi e njëjta ka refuzuar kërkesën e të akuzuarit, me të cilën kishte kundërshtuar provat dhe kishte kërkuar hedhjen e aktakuzës.

“Me datë 25.11.2021 i pandehuri brenda afatit të paraparë ligjor ka paraqitur kundërshtim të provave me kërkesë për hedhje të aktakuzës, me pretendim se ekzistojnë rrethana të cilat e përjashtojnë përgjegjësinë penale dhe se nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. Në kundërshtimin e paraqitur theksohet se aktakuza është ë bazuar vetëm në prova të papranueshme shton se duhet të kuptohen arsyet e mosveprimit brenda afatit i cili është përcaktuar nga ana e zyrës së MKRS-së”, thuhet në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

Në vendim gjithashtu thuhet se gjykata i ka dhënë mundësinë prokurorit që të përgjigjet në lidhje me kërkesën e të pandehurit për hedhjen e aktakuzës, të cilën prokurori e ka pranuar më 20 dhjetor, por se nuk është përgjigjur.

Sipas vendimit të Apelit, gjykata pas shqyrtimit dhe vlerësimit të kërkesës së paraqitur nga ana e të pandehurit, ka gjetur se e njëjta është e pabazuar.

“Pas analizimit dhe shqyrtimit të shkresave të lëndës, gjykata vlerëson se kërkesa e mbrojtësit së të pandehurit në këtë fazë të procedurës penale për hedhje të aktakuzës lidhur me veprën penale, Mos raportim ose raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave i dhuratave i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare nga neni 430 par.1 të KPRK-së , nuk mund të aprovohet, për arsye se nga provat që i janë bashkangjitur aktakuzës ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri është kryes i veprës penale e cila i vihet në barrë.”, thuhet në vendim.

Tutje, në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se me provat që ka gjykata deri në këtë fazë të procedurës, krijohet bindja se ekziston dyshimi i bazuar që i pandehuri është kryes i veprës penale e cila me aktakuzë i vihet në barrë.

“Me qëllim të vërtetimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, rrjedhimisht zbardhjes së të vërtetës materiale, gjykata gjatë shqyrtimit gjyqësor do të administrojë me të gjitha provat e propozuara e në përputhje me dispozitat në fuqi të KPPRK- së, e nga të cilat prova në përfundim të këtij shqyrtimi do të konstatohet nëse ekziston përgjegjësia penale e të pandehurit në raport me veprën penale e cila i vihet në barrë”, përfundon vendimi i shkallës së dytë.

Ndryshe, i akuzuari Zefaj është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 28 tetor 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur më 9 gusht 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Engelbert Zefaj akuzohet se në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, si zëvendësministër pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS-së), me dashje ka vepruar në kundërshtim më Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollimin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollimin e Dhuratave për të gjithë Personat Zyrtarë.

Në aktin akuzës thuhet se i pandehuri Zefaj edhe pse ka qenë i obliguar dhe i njoftuar me kohë nga ana e zyrtares kontaktues pranë MKRS-së për të bërë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë për vitin paraprak 2020, brenda afatit kohor dhe atë nga data 1 deri më 31 mars 2021, i njëjti deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë e ka bërë pas afatit ligjor, më saktësisht më 3 qershor 2021.

Me këtë, Zefaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. /BetmipërDrejtësi

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img