0.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Gjykata merr vendim për zyrtarët e arrestuar të ndërmarrjes “Ambienti” në Pejë

Hetimi i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Pejë, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë, identifikuan disa zyrtarë të ndërmarrjes “Ambienti” të dyshuar për keqpërdorime, të cilët kanë qenë objekt hetimi për rreth një vit. Nëntë zyrtarë dhe ish zyrtarë janë shoqëruar në Polici gjatë këtij aksioni, shtatë prej të cilëve janë ndaluar. Gazeta Sinjali pati raportuar se se të dyshuarit janë drejtori i bordit Arton Muhaxheri dhe Armend Jupa, Shpetim Gashi, Nexhat Abdullahu, Diedon Berisha, Fisnik Ademi dhe Idriz Balaj. Kurse i dyshuari Gani Kryeziu, është lënë i lirë.

Së fundi, Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Arton Muhaxheri, Shpetim Gashi, Fisnik Ademi dhe Idriz Bala. Ndërsa, po ashtu ka refuzuar kërkesën edhe për arrest shtëpiak ndaj të pandehurve Nexhat Abdullahu dhe Diedon Berisha.

Sipas njoftimit të Gjykatës, është vendosur që: “ndaj të pandehurve Arton Muhaxheri, Shpetim Gashi dhe Fisnik Ademi, ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh ndërsa, ndaj të pandehurve Idriz Bala, Nexhat Abdullahu, Diedon Berisha dhe Armend Jupa, ka caktuar masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh, meqë ka gjetur se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen dhe se është e bindur se me masat e caktuara mund të arrihet qëllimi i shmangies së rrezikut të asgjësimit, ndryshimit të provave, ndikimit në dëshmitarë si dhe mund të pengohet rreziku i përsëritjes së veprave penale”, thuhet në njoftim.

Për çka dyshohen nëntë zyrtarët dhe ish-zyrtarët e ndërmarrjes “Ambienti”?

Kryeshefi Diedon Berisha, drejtori i bordit, Arton Muhaxheri, ish -kryeshefi Nexhat Abdullahu, zyrtari ligjor, Gani Kryeziu, mbikëqyrësi i një projekti Armend Jupa, si dhe anëtarët e bordit Fisnik Ademi, Idriz Balaj dhe Shpëtim Gashi po dyshohen se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoriteti zyrtar”, “Legalizimi i përmbajtjes se pavërtetë” dhe “Deklarim i rremë”.

Sinjali sjellë ekskluzivisht detaje mbi dyshimet e ngritura nga Prokurori i Shtetit ndaj të dyshuarve

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se Muhaxheri, Gashi, Ademi dhe Balaj, po dyshohen se nga viti 2019 deri në vitin 2022 pa bazë ligjore dhe duke tejkaluar kompetencat kanë favorizuar bordin, si dhe disa zyrtarë nga stafi udhëheqës, duke përfituar kështu kompensime shtesë.

Sipas informacioneve që ka Sinjali, ata kanë arritur që të realizojnë të ardhura për bordin në vlerë të mbi 31 mijë eurove dhe për stafin udhëheqës mbi 20 mijë euro. Bonuset dyshohet se i kanë përfituar duke keqpërdorur detyrën zyrtare, ashtu që pa asnjë bazë ligjore kanë shpenzuar mjete nga buxheti i ndërmarrjes.

Kurse kryeshefi i ndërmarrjes, Diedon Berisha po dyshohet se ka keqpërdorur detyrën, duke urdhëruar zyrtarin financiar që të paguajë me këste një tender që kap vlerën e rreth 20 mijë eurove, pa përfunduar punimet e projektit.

da
Kryeshefi Diedon Berisha dhe drejtori i bordit, Arton Muhaxheri

Edhe paraardhësi i Berishës, Nexhat Abdullahu po dyshohet se është i përfshirë në këto dallavere, pasi dyshohet se derisa ka qenë në pozitën e kryeshefit të “Ambientit”, prej vitit 2015 e deri në vitin 2022, kur edhe është pensionuar, dyshohet se ka marrë vendime të kundërligjshme, në mënyrë që anëtarët e bordit si dhe menaxhmenti të përfitojnë nga buxheti i ndërmarrjes për furnizimin e automjeteve private me derivate.

nn
Ish kryeshefi, Nexhat Abdullahu

Siç merr vesh Sinjali, Abdullahu dyshohet se ka urdhëruar që në përmbarim të dërgohen borxhet që sipas ligjit janë të parashkruara, ashtu që emër të tarifës përmbarimore ka marrë vendim që të kryhen pagesa në vlerë të mbi 196 mijë euro, edhe pse nuk ka pasur rezultate në inkasim të borxheve, ndonëse borxhi i klientëve sillej mbi 6 milionë euro.

Zyrtari ligjor Kryeziu, po dyshohet se ka zbaruar vendimin e kundërligjshëm të Abdullahut, duke bërë përzgjedhjen e përmbaruesve pa kritere, si dhe ka dërguar në përmbarim lëndët që kanë pasur borxhet e parashkruara, ku për pasojë ka shkaktuar dëme në ndërmarrje, duke paguar tarifa në vlerë të mbi 16 mijë urosh.

Ndërsa i dyshuari Jupa, në cilësinë e mbikëqyrësit të një projekti ka nënshkruar fituesit të tenderit një faturë që kap vlerën e rreth 20 mijë euro, ndonëse punimet e projektit s’ishin kryer.

Pas hetimeve të kryera që një vit, me urdhëresë të Gjykatës, Policia sot ka zbarkuar në objektin e ndërmarrjes, ku pos arrestimit të të dyshuarve janë sekuestruar edhe prova që ndërlidhen me tenderët, pagesat dhe dëshmitë tjera.

Shtatë të dyshuarit, përveç Kryeziut me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe brenda afatit ligjor do të ushtrohet kërkesa në Gjykatë për caktimin e masës së sigurisë.

Kujtojmë se Gazeta Sinjali ka raportuar vitin e kaluar se Muhaxheri si nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ish-asamblist i kësaj partie në komunën e Pejës, ishte zgjedhur drejtor i bordit të drejtorëve në Ndërmarrjen publike ‘Ambienti’ në Pejë, në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img