Site icon PrishtinaPress

Gjykata Kushtetuese rrëzon pretendimet e Berishës dhe Kinollit, nuk rrezikohet mandati i Presidentes

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka vendosur lidhur me kërkesën në rastin KI 69/21, me parashtrues Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK) dhe Partia Liberale Egjiptiane (PLE), të përfaqësuara nga Albert Kinolli dhe Veton Berisha, respektivisht, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AA.nr.29/2021] të 12 marsit 2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës.

Siç njoftohet, Gjykata, njëzëri, ka vendosur që kërkesën e parashtruar nga PREBK, të deklarojë të papranueshme, si rezultat i mosshterimit të mjeteve juridike të përcaktuara me ligj; dhe (ii) kërkesën e parashtruar nga PLE, të deklarojë të pranueshme për shqyrtim në merita; ndërsa, me shumicë, ka vendosur që (iii) të konstatojë që Aktgjykimi [AA.nr.29/2021] i 12 marsit 2021 i Gjykatës Supreme nuk ka cenuar të drejtën e parashtruesit të kërkesës, përkatësisht PLE-së, për t’u zgjedhur në Kuvend pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021.

Po ashtu sipas paragrafit 1 të nenit 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës në lidhje me nenin 3 (E drejta për zgjedhje të lira) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (iv) të konstatojë që ky Aktgjykim nuk ka efekt prapaveprues dhe që në bazë të parimit të sigurisë juridike, nuk afekton të drejtat e palëve të treta. Aktgjykimi do të plotësohet me mendim konkurrues.

“Thelbi i konstatimit të Aktgjykimit: Vota në Republikën e Kosovës është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë. Vota nuk mund të anulohet/shpallet e pavlefshme bazuar në përkatësi etnike të votuesit”

“Më saktësisht, Aktgjykimi sqaron që, rrethanat e rasteve konkrete ndërlidhen me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbajtura me 14 shkurt 2021. Dy kandidatët përfaqësues të subjekteve politike, PLE dhe PBREK, respektivisht dhe të cilët sipas rezultateve të certifikuara të zgjedhjeve parlamentare të lartcekura, nuk kishin arritur të fitojnë vende në Kuvend, pretendojnë që të drejtat e tyre zgjedhore janë cenuar si rezultat i vendimeve përkatëse të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Gjykatës Supreme, të cilat parashtruesit përkatës i kontestojnë para Gjykatës duke pretenduar shkelje të paragrafit 4 të nenit 58 [Përgjegjësitë e Shtetit], nenit 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] dhe nenit 64 [Struktura e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në aktgjykim.

Vendimin e plotë të Kushtetueses mund ta gjeni KËTU.

Exit mobile version