Site icon PrishtinaPress

Gjykata ia cakton një muaj paraburgim të dyshuarit të grupit terrorist që po trajtohet në QKUK

Një muaj paraburgim i është caktuar Vlladimir Toniq, i dyshuar për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Seanca dëgjimore është mbajtur në QKUK, aty ku po trajtohet Toniq, pasi i njëjti mbeti i plagosur dje në zonën e Zveçanit.

Ai fillimisht u trajtua në Spitalin Rajonal të Mitrovicës për t’u transferuar më pas në QKUK.

I njëjti dyshohet se ishte pjesë e grupit terrorist në sulmin kundër Policisë së Kosovës.

Njoftimi i plotë i gjykatës:

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka mbajtur seancën dëgjimore në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ( QKUK), duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit V.T, i dyshuar për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 126 i KPKS – së dhe kryerja e veprave terroriste nga neni129 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtari i Procedurës Paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit V.T dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.

Masa e paraburgimit është caktuar  në harmoni me nenin 182 të KPPRK dhe nenin 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 dhe paragrafit 1.3 të KPPRK-së.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Exit mobile version