Site icon PrishtinaPress

Gjykata e Apelit refuzon ankesën e Qeverisë – nuk ulen pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve

Vendimi i Gjykatës Themelore në Departamentin e Çështjeve Administrative në Prishtinë për pezullimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve është vërtetuar nga Gjykata e Apelit të Kosovës.

Gjykata e Apelit ka vendosur që ankesa e Qeverisë së Republikës së Kosovës të hidhet poshtë si e pajustifikuar më 20 janar të këtij viti, thuhet në aktvendim.

“Refuzohet si e pa bazuar ankesa e të paditurës Qeveria e Republikës së Kosovës me seli në Prishtinë, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, A.nr….., i datës 02.12.2022, vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më 2 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, vendosi për pezullimin e vendimit të Qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Qeveria e Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Avokatia e Shtetit, kishte ushtruar ankesë kundër këtij vendimi për shkak të “aplikimit të gabuar apo jo të drejtë të dispozitave ligjore, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të drejtës materiale.”

Exit mobile version