Kryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve në Malin e Zi, Milo Gjukanoviq, tha se beson se Kuvendi menjëherë pas 23 tetorit do ta shkurtojë mandatin dhe se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të mbahen në janar të vitit të ardhshëm, raporton RTCG.
Presidenti malazez vlerësoi se gjithçka tregon se është koha për zgjedhje parlamentare.
“Është padyshim koha për zgjedhje të parakohshme parlamentare”, tha Gjukanoviq.
Ai tha se pyetja nuk është se kush është fituesi, por sa shpejt do të arrijnë t’i sigurojnë zgjedhjet.
Gjukanoviq ka thënë se ka dëshiruar që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen në dhjetor, por se, siç tha ai, “ia kanë dalë të manipulojnë parlamentin për të mos shkurtuar mandatin e tij”.
“Por jam absolutisht i sigurt se jemi afër ditës kur parlamenti, besoj se do të jetë shpejt pas 23 tetorit, që parlamenti të shkurtojë mandatin, pas së cilës unë do të caktoj zgjedhjet parlamentare për 60 ditë, kështu që do të kemi zgjedhjet parlamentare në janar dhe ne do të kemi një qeveri të re të përgjegjshme, kompetente, të mirë dhe të përkushtuar në Mal të Zi”, përfundoi Gjukanoviq./Prishtinapress/