4.5 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

Gjuha shqipe e padefinuar në Maqedoni, edhe pas 15 viteve nga marrëveshja e Ohrit

Edhe 15 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, ende nuk ka një zgjidhje të plotë të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoni, gjë që në vazhdimësi ka shkaktuar debate e polemika të shumta, nëse përdorimi i saj është ose jo i garantuar me Kushtetutë, shkruan REL.
Në nenin 7 të aktit më të lartë juridik thuhet: “Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj. Gjuhë tjetër të cilën e flasin së paku 20% e shtetasve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare”.
Nga ky përkufizim i Kushtetutës nuk theksohet prerazi se zyrtare është edhe gjuha shqipe, por ajo përkufizohet, si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind e shtetasve. Edhe si e tillë, përkufizimi që i bëhet në vazhdim ka lë hapësirë për interpretime të ndryshme pasi vazhdim të nenit 7 ajo përkufizohet si zyrtare vetëm se në njësitë e pushtetit lokal, ku pjesëtarët e bashkësive etnike që janë mbi 20 për qind, do të mund të përdorin gjuhën e tyre në komunë, si dhe në komunikimin me pushtetin qendror.

Mospërkufizimi i qartë dhe interpretimet e ndryshme, kanë shkaktuar në vazhdimësi polemika edhe për përdorimin e saj në nivel qendror.
Deputetët shqiptarë kanë të drejtë të përdorin gjuhën shqipe gjatë fjalimeve, por nëse njëri prej tyre udhëheq me seancat, atëherë kjo e drejtë u mohohet.
Ngjashëm është edhe me ministrat shqiptarë, të cilët shqipen mund ta përdorin në ndonjë manifestim rasti, por jo edhe në komunikim zyrtar, madje as në komunikim me deputetët shqiptarë në Kuvend. Partitë në pushtet, disa herë kanë ndërhyrë me zgjidhje ligjore, por pa një zgjidhje përfundimtare.
“Rregullimi me ligj i përdorimit të gjuhës shqipe nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Ohrit, që do të thotë se përdorimi i gjuhës shqipe, edhe pse ka avancime, ka ngelur i hapur dhe duhet që në një të ardhme të afërt ky problem duhet të zgjidhet. Rregullimi i statusit të gjuhës shqipe do të reflektonte pozitivisht në marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni”, thotë Rafis Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Maqedonisë.

Ai që nga emërimi në këtë post, para dy viteve, asnjëherë nuk ka udhëhequr me seancat e Kuvendit, pikërisht për shkak të pamundësisë së drejtimit të tyre në gjuhën shqipe.
Lidhur me këtë çështje të pazgjidhur, së fundi është prononcuar edhe lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, i cili për herë të parë ka theksuar nevojën për zgjidhjen e drejtë të këtij problemi.
Zaev ka thënë se askush nuk duhet të frikësohet nga përdorimi i zyrtar i gjuhës shqipe, edhe në nivel të Republikës. Me këtë ai ka lë për të kuptuar se Lidhja Social- demokrate angazhohet për një përkufizim të ri të përdorimit të gjuhës shqipe.
Maqedonasit nuk humbin asgjë nëse dikush fiton të drejtën që në mënyrë të barabartë integrohet në sistemin tonë… Qytetarët nuk humbin asgjë nëse dikush fiton ndonjë të drejtë më shumë. Pra, nuk është aspak e vërtetë se maqedonasit do të humbin nëse shqiptarët fitojnë diçka më shumë… Unë jam i vetëdijshëm për rreziqet nga një qëndrim i këtillë, shumë rreziqe kam ndërmarrë këtë periudhë, por kam vendosur ta ndërmarr edhe këtë rrezik”, ka thënë Zaev.
Deklarata e Zaevit ka nxitur reagime të shumta në opinion. Nga OBRM-PDUKM-ja e ish- kryeministrit Nikolla Gruevski ka thënë se një gjë e tillë nuk do të kalonte asnjëherë.
“Një politikë e këtillë anti-maqedonase nuk do t’ju kaloj…Ju jeni të gatshëm të hiqni dorë nga idealet dhe ëndrrat e gjeneratave maqedonase, vetëm që të vini në pushtet. Ne shumë mirë e dimë se numri më i madh i mbështetësve të LSDM-së nuk mbështesin politikat e tuaja humbëse dhe antikombëtare. Prandaj, ata nuk do të rrinë duarkryq, por do ta dënojnë politikën tuaj, e cila ka për qëllim ri-definimin e Maqedonisë”, ka thënë Ilija Dimovski, kryetar i Grupit Parlamentar të OBRM-PDUKM-së.
Përveç OBRM-PDUKM-së, reagime ka pasur edhe nga intelektualë maqedonas, të cilët e zyrtarizimin e shqipes e shohin si humbje të sovranitetit dhe rrënim të themeleve të shtetit maqedonas.
Bashkim Selmani, njohës i çështjeve juridike dhe profesor në Universitetin e Tetovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se çështjet ndëretnike, gjithmonë janë ngritur apo u kanë shërbyer partive për qëllime politike. Ai uron që deklarata e Zaevit, të mos jetë vetëm për qëllim të përfitimit të votave të shqiptarëve, pasi çështja e gjuhës duhet mbyllur njëherë e përgjithmonë.
Për moszgjidhjen e këtij problemi, Selmani fajëson, para së gjithash partitë shqiptare të cilat, sipas tij, edhe 25 vjet demokraci nuk arritën të imponojnë zgjidhjen e drejtë të çështjeve shqiptare.
“Mendimi im është se Zaevi nuk e ka thënë për shkak se i vlerëson apo i do shqiptarët, por më tepër e ka menduar si një të drejtë që e respektojnë shumë shtete. Mendimi i tij ka kahe perëndimore, pasi e sheh se pengesë për shtetin mostrajtimin e duhur të të drejtave të shqiptarëve. Ai me këtë jep sinjal se duhet të respektohen të drejtat që na takojnë me konventat dhe me ligjet”, thotë Selmani.
Ai shton se modeli më i mirë i mbylljes së çështjes së përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni, duhet të jetë Kosova, ku në gjithë territorin e saj, përveç gjuhës shqipe, zyrtare është edhe gjuha serbe.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img