Site icon PrishtinaPress

Gjuha e rëndë e Kurtit ndaj ShBA-së dhe BE-së: Më shumë janë optimistë për Vuçiqin se sa për veten

Çdo ditë e më shumë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka mprehur gjuhën ndaj ndërmjetësuesve dhe partnerëve evropianë dhe amerikanë.

Në një intervistë me gazetën kroate “Veçernji List” më shumë se askund tjetër ai veçse e konfirmon tezën e Zëvendës Ndihmës Sekretarit amerikan të shtetit, se Kurti “eksesivisht dhe obsesivisht e definon veten në raportin e tij/tyre me Serbinë”.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë “të mashtruar” nga Serbia dhe të padrejtë ndaj Kosovës, lëshohet hapur në komentime Kurti, teksa ua vendos në pikëpyetje gjykimin e shëndosh mbarë atyre. Situatën siç është, i thotë ai gazetës kroate, e ka sjellur Perëndimi me një numër ‘gabimesh’ të cilat ai ua numëron.

Vënë bast në kalin e gabuar”, tha Kurti duke u lëshuar në analogji. Këtu duke e pasur ndërmend, Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të cilin lë të kuptojë se Perëndimi po i bën masazh psikologjik, dhe se “po më godasin mua”.

Në fund doli që nuk ishte fare kalë, por dhelpër”, tha ai, teksa shtoi se as pas një viti e gjysmë Serbia nuk është bashkërenduar në sanksionet perëndimore ndaj Federatës Ruse. Këtu, u kthehet ai amerikanëve dhe evropiane me një qortim të drejtpërdrejt. U thotë se duhet të riekzaminojnë veten dhe të reflektojnë; t’i thirrin mendjes së tyre; gjë që, sipas tij, nuk po e bëjnë.

Në vend të reflektimit dhe introspeksionit të tyre, ata më godasin mua”.

Krejt ngërçin, sërish, Kurti ua faturon “tolerancës” së Perëndimit ndaj Aleksandar Vuçiqit; duke nisur prej formës së marrëveshjes Kosovë-Serbi pa nënshkrim dhe atë që ai e interpreton si “leje Vuçiqit për ta shkelur” atë.

Brukseli dhe Uashingtoni e lejuan Vuçiqin që të mos e nënshkruante marrëveshjen nga Brukseli dhe Ohri, pastaj që ta shkelte atë marrëveshje dhe ja ku jemi në një situatë në të cilën ekziston asimetri drastike në qasje”, tha Kurti.

Masat ndëshkuese ndaj Kosovës i quan “padrejtësi” ndërsa konstaton se Vuçiqit po i ofrohet “falje”.

Masa ndëshkuese ndaj meje, dhe nga ana tjetër falje për presidentin Vuçiq. Kjo është një padrejtësi. Por thonë se këto masa do të jenë afatshkurtra, të përkohshme dhe të kthyeshme, andaj të shohim. Me faktorët ndërkombëtarë, edhe evropianët edhe amerikanët, kemi komunikim dhe koordinim të rregullt, por kemi edhe dallime të vogla, herë përsa u përket taktikave, e ndonjëherë, eventualisht, strategjive. Por përsa iu përket vlerave, interesave dhe qëllimeve nuk kemi asnjë dallim”, ka shtuar ai.

Madje, ai i futet edhe analizave psikanalitike për Vuçiqin dhe Perëndimin. Thotë se këta të fundit “janë më optimistë për Vuçiqin se sa për veten”.

“Komuniteti ndërkombëtar ka pritshmëri të ulëta nga Vuçiqi në të tashmen, por megjithatë shpresa të mëdha në afat të mesëm. Prandaj, sa herë që Beogradi bën një gjest pozitiv, ata e zmadhojnë atë, sepse kanë pritshmëri jashtëzakonisht të ulëta”, ka thënë Kurti, raporton Nacionale.

Në këtë kuptim, komuniteti ndërkombëtar, paradoksalisht, është më optimist për Vuçiqin sesa për veten!”, shtoi ai.

Exit mobile version