Sekretari Organizativ i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka reaguar pas refuzimit të ankesës së Klan Kosovës nga ana e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës për pezullim të certifikatës së biznesit.
Ai tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në luftë kishte refuzuar ta vishte uniformën e UÇK-së, me pretekstin se nuk dëshiron ta kapë armën dhe se nuk e preferon dhunën.
Gjoshi tha se askush më shumë se Kurti nuk e ka sulmuar shtetin e Kosovës.
“E ka mohuar dhe luftuar ekzistencën e tij. Ky aktivitet i tij mund të barazohet me atë të Aleksandër Vuçiqit, Ivica Daçiqit e Aleksandër Vulinit”, tha Gjoshi.
Sekretari i PDK-së shtoi se Albin Kurti nuk ka pasur guxim të tregohej trim përballë Serbisë, por është treguar qyqar përballë shtetit të Kosovës.
“Sot, shteti i Kosovës rrezikohet duke ia mbyllur mediat, duke ia vjedhur rezervën shtetërore, duke bashkëpunuar me kryekriminelin Milan Radojçiqin, e me sulmet e vazhdueshme mbi çdokënd e mbi gjithçka që nuk mendon si pushteti e që nuk është e Bandës Zdravo në Qeveri”, shtoi ai,
“As sot, Kosova nuk mund të presë vendime të tjera nga një njeri i tillë që fatkeqësisht është bërë Kryeministër. Albin Kurti po e vazhdon betejën e tij kundër Lirisë dhe Shtetit të Kosovës, në një formë tjetër dhe tash me vendime shtetërore, si ky i ditës së sotme kundër televizionit Klan Kosova”.