Drejtoria e Inspeksionit në komunën e Prishtinës ka bëre të ditur se ka marrë masa ligjore dhe e ka gjobitur kompaninë ndërtuese për shembjen e dheut në lagjen “Muhaxhirët” në Prishtinë.
“Menjëherë janë angazhuar inspektorët e ndërtimit dhe kanë dalur në vendngjarje për të ndërmarrë veprimet ligjore lidhur me gjendjen shkaktuar, ashtu që, inspektorati i ndërtimit ka konstatuar gjendjen faktike të gropës ndërtimore dhe ka ndërmarrë masat ligjore duke e gjobitur ndërtuesin dhe duke urdhëruar përpilimin e planit për sanimin e gjendjes së shkaktuar si dhe, me Aktvendim për ndërprerje të punëve ka ndaluar të gjitha punët ndërtimore deri në largimin e rrezikut dhe sigurimin e gropës ndërtimore sipas planeve përkatëse të miratuara nga organi kompetent”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë.
Drejtoria e Inspeksionit fuqishëm i kundërshton spekulimet të cilat kanë qarkulluar sot kinse ndërtimi në fjalë është zhvilluar pa leje ndërtimore nga se, Inspektorati i ndërtimit qysh me dt.10.05.2023 ka zhvilluar procedura inspektuese në rastin në fjalë dhe me procesverbal dt.10.05.2023 ka konstatuar se pala ka filluar punët ndërtimore me leje ndërtimore nr.05-351/02-48172/22 dt.24.04.2023 dhe i njëjti është urdhëruar të respektoj lejen ndërtimore dhe gjithë dokumentacionin burimor të miratuar nga organi kompetent.
Drejtoria e Inspeksionit siguron gjithë qytetarët e Kryeqytetit se nuk do të lejojë asnjë ndërtim pa leje në Kryeqytet dhe ndërtuesit e papërgjegjshëm do t`i ndëshkojë me masat më rigoroze sipas ligjeve dhe akteve tjera nënligjore në fuqi.