Site icon PrishtinaPress

Gjobat e reja në trafik, për përdorim të telefonit deri në 500 euro

Nënkoloneli dhe drejtori i Divizionit të Trafikut Rrugor, Jeton Rexhepi, ka folur për ligjin e ri për Rregullat në Trafik, ku bëri të ditur se vlera e disa gjobave ka pësuar rritje drastike.

Njëra prej tyre është ajo e përdorimit të telefonit, ku tha se për këtë kundërvajtje në trafik, gjoba mund të shkojë deri në 500 euro dhe ndalim i drejtimit të veturës deri në gjashtë muaj.

“Tek telefoni është edhe një përshkallëzim edhe më i madh sesa kundërvajtjet tjera, që nënkupton se nëse shoferi haset duke e përdorur telefonin në trafik, herën e parë do gjobitet me 100 euro dhe një pikë negative. Nëse haset për herë të dytë, përveç gjobës prej 200 euro, ka ndalim të drejtimit të mjetit dhe pikë negative”.

“Çdo rast kur takohet më shumë se dy herë brenda dy viteve duke e përdorur telefonin, ai do ta ketë një gjobë prej 500 euro, ndalim të drejtimit të mjetit deri në 6 muaj dhe tri pikë negative”, tha ai në Klan Kosova.

Rexhepi foli edhe për kundërvajtësit në trafik të cilët nuk e vënë rripin e sigurisë, ku tha se mos vendosja e tij, qoftë për shoferin apo pasagjerin, gjoba është 150 euro.

“Nëse jemi pjesëmarrës në trafikun rrugor, çdo shofer apo pasagjer, fillimisht ka të bëjë me rripin e sigurisë. Dhe mos vendosja e rripit të sigurisë qoftë për shoferin apo pasagjerët, gjoba është 150 euro”, tha ai.

Exit mobile version