Gjykata e Lartë e Bashkimit Evropian i dha dritën e gjelbër themelimit të Superligës Evropiane, duke theksuar se FIFA e UEFA kanë vepruar jashtë rregullave të BE-së kur ndalën themelimin e kësaj gare.
Vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë u prit me shumë gëzim nga themeluesit e saj duke synuar tashmë krijimin dhe realizimin e idesë së tyre, mirëpo ata tashmë kanë marrë refuzimin e parë.
Skuadra e Manchester United ka dalë kundër krijimit të kësaj lige, duke theksuar edhe njëherë qëndrimin e tyre që e kishin para disa viteve për krijimin e kësaj lige.
“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj pjesëmarrjes në garat e UEFA-s dhe bashkëpunimit pozitiv me UEFA-n, Premier League dhe klubet e tjera përmes ECA-s për zhvillimin e vazhdueshëm të lojës evropiane”, thuhet në njoftimin e klubit.
Përpos Manchester United kundër themelimit të kësaj gare ka dalë edhe skuadra e Atletico Madrid.
Në reagimin e tyre thuhet se të gjitha klubet dhe ligat janë kundër krijimit të Superligës Evropiane, përveç disa klubeve të veçanta si Real Madridi, Barcelona e Juventusi.
“Familja evropiane e futbollit nuk e dëshiron Superligën evropiane. Gjermania, Franca, Anglia, Italia, Spanja (përveç Real Madridit dhe Barcelonës) etj. nuk e duan Superligën Ne jemi në favor të mbrojtjes së familjes evropiane të futbollit, mbrojtjes së ligave vendase dhe sigurimit që kualifikimi për garat evropiane të arrihet përmes performancës në fushë çdo sezon”, thuhet në njoftimin e klubit të Atletico Madridit.