Është e vërtetë që Cristiano Ronaldo është shpesh në qendër të vëmendjes për polemikat apo sukseset e tij sportive, por edhe ana e tij humanitare është e njohur, gjë që e tregoi sërish me një gjest të madh për viktimat e tërmetit të tmerrshëm që ndodhi javë më parë në Turqi dhe Siri.
Siç raporton Daily Mail, futbollisti i Al Nassrit, i prekur shumë nga skenat tragjike që ka lënë kjo fatkeqësi natyrore, me një numër shumë të lartë të vdekjeve, ka vendosur të dërgojë një avion të mbushur me materiale për të ndihmuar të prekurit.
Konkretisht, Cristiano Ronaldo ka dërguar tenda, ushqime për të rritur dhe foshnja, jastëkë, shtretër, qumësht dhe mjete mjekësore për të bashkëpunuar me përpjekjen humanitare, që po u bëhet këtyre njerëzve. Një gjest, që Turqia dhe Siria shpresojnë të inkurajojë sportistë të tjerë apo personazhet e famshëm, të ndjekin shembullin e portugezit.
Në fakt, po këtë të premte, Cristiano Ronaldo u pa në një video në të cilën ai përshëndeti një të ri sirian që kishte ëndërr ta takonte.
Ndër gjestet e tjera të mëdha altruiste nga CR7, bie në sy se ai pagoi për operacionin e trurit të një fëmije, ndihmoi në financimin e një qendre kanceri në Portugali dhe se ai ishte një ambasador për bamirësi i Save the Children, Unicef dhe World Vision, ku dhuroi më shumë se një milion euro për spitalet portugeze në kulmin e koronavirusit.