Site icon PrishtinaPress

Gjermania pezullon katër projekte gjermane në Republika Sërpska, shkaku i politikave të Dodikut

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se Qeveria e Gjermanisë më nuk është në pozitë të financojë katër projektet strategjike në entitetin Republika Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, për shkak të politikave separatiste të Milorad Dodikut, raporton “N1”.

“Është me rëndësi për ne të dërgojmë një sinjal të provokuar nga politikat separatiste të Dodikut. Nuk e shohim veten në pozitë për t’i vazhduar këto katër projekte strategjike. Duhet t’i pezullojmë ato. Mendoj se është keq kur nuk diskutohen masat e tilla. Kjo është arsyeja pse po i pezullojmë projektet. Duhet të kuptoni se taksapaguesit gjermanë presin se do të jenë të sigurtë kur Gjermania futet në projekte të tilla”, tha Sarrazin.

Ai është duke e vizituar Bosnjë-Hercegovinën, ku pritet të takohet me Dodikun. Sarrazin ka thënë se Gjermania do të vazhdojë të mbetet aktive.

Gjermania ka vendosur për anulimin e plotë të katër projekteve infrastrukturore në entitetin Republika Sërpska me vlerë 105 milionë euro për shkak të politikave separatiste të Dodikut, ka thënë Ambasada e Gjermanisë në Bosnjë-Hercegovinë.

Projektet përfshijnë dy faza të riparimit të hidrocentralit të Trebinjes, riparimin e Parkut të erës Hrgud dhe rrjetin e largimit të ujërave të zeza në Gradiska.

Dodik tha të mërkurën se Përfaqësuesi i Lartë i Bosnjë-Hercegovinës, Christian Schmidt, nuk do të mund të hyjë në Republika Sërpska nga java e ardhshme.

Exit mobile version