Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe guvernatorët e 16 shteteve federale gjermane janë pajtuar që të shpejtojnë deportimin e azilkërkuesve të refuzuar.
Qëllimi i planit është deportimi i migrantëve që kanë pak mundësi të marrin azil brenda pak javëve të hyrjes së tyre në Gjermani. Personat që gënjejnë për identitetin e tyre apo kanë të kaluar kriminale, do të deportohen shumë shpejt.
Kjo është nxitur prejse në muajin dhjetor, azilkërkuesi i refuzuar nga Tunizia, Anis Amri vrau 12 njerëz duke shtypur me kamion, në një treg Krishtlindjesh në Berlin.
Nëpër shtetet federale, guvernatorët kanë thënë se do të themelohen “qendrat e daljes”, ku do të dërgohen azilkërkuesit e refuzuar që të mos kenë mundësi të largohen pak para deportimit.
Imigrantët, shumica e të cilëve janë nga Afganistani, do të marrin një shumë parash pak para se të rikthehen në vendin e tyre, nëse këtë e bëjnë vullnetarisht, raporton Rel.
Në vitin 2016, rreth 55 mijë azilkërkues janë larguar vullnetarisht nga Gjermania dhe rreth 25 mijë të tjerë janë deportuar. Gjatë vitit të kaluar, 280 mijë persona kanë kërkuar azil, kundrejt 890 mijë që e kanë bërë të njëjtën në vitin 2015.