1.3 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Buy now

spot_img

Gjermania e Britania, Serbisë: Marrëveshja dhe aneksi janë ligjërisht të obligueshme

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, gjatë një seance të kësaj jave të parlamentit serb, ka thënë se vendi i tij nuk e ka pranuar planin franko-gjerman.

“Edhe një herë, do ta them mjaftë qartë, kjo po regjistrohet me zë por edhe po transkriptohet: Republika e Serbisë nuk e ka pranuar marrëveshjen franko-gjermane. Edhe një herë, ne nuk e kemi pranuar planin franko-gjerman”, ishte shprehur Vuçeviq para deputetëve të parlamentit serb.

Për këtë reagoi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, duke ua vënë në dijeni edhe Josep Borrellit e Miroslav Lajçakut deklaratën e Vuçeviqit.

“Çfarë duhet tjetër për t’iu bindur se për Serbinë s’ka Marrëveshje Bazike? Se pjesëmarrja e tyre në dialog është false vetëm për t’iu shmangur sanksioneve eventuale? Sa drafte të tjera të planit të zbatimit na duhen përpara se ta zbulojmë të vërtetën për të gjitha Shtetet Anëtare”, shkroi Bislimi dje në platformën X, duke shpërndarë edhe fjalimin e kryeministrit serb.

Marrëveshja e Ohrit, ligjërisht obliguese

Bashkimi Evropian, gjegjësisht shtetet anëtare të tij, kanë deklaruar vazhdimisht se dakordimi i arritur në Ohër marsin e vitit të kaluar për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi është ligjërisht i zbatueshëm, ndonëse nuk është nënshkruar nga palët.

Për deklarimin e fundit të kryeministrit serb, Klankosova.tv ka pyetur shtetet e Quint-it (ShBA, Gjermani, Francë, Itali e Britani e Madhe).

Britania e Madhe i është referuar një deklarate të ambasadorit të tyre në Serbi, Edward Ferguson, dhënë mbrëmë në “Euronews Serbia”.

Ferguson aty ka deklaruar se në Ohër, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Alleksandar Vuçiq bënë një plan për normalizim, por tha se “nuk jemi as për së afërmi të kënaqur me përparimin”.

“Kemi parë pak përparime, që i përshëndesim, siç është njohja e targave të Kosovës nga Serbia. Kosova më në fund e zbatoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronën që i përket Manastirit të Deçanit. Britania e Madhe ka qenë shumë e përfshirë për të bërë presion që kjo të ndodhë. Por, duhet bërë edhe shumë që të vihet deri te stabilizimi dhe këtë e duam ne”, theksoi Ferguson.

Stop politikës “ma bëre, po ta bëj”

Ndërkaq Gjermania, përmes shefit të Kulturës, Shtypit dhe Komunikimit në Ambasadën e saj në Kosovë, Christian Bottcher, ka thënë se duhet të ndalojë politika “ma bëra, ta bëra” mes dy vendeve.

“Është koha e fundit për një politikë ‘hap pas hapi’ që shikon nga e ardhmja dhe jo një politikë ‘ma bëre, po ta bëj’ që vendos pengesa të reja në rrugën e të dyja palëve, duke shpërfillur vullnetin e popullit për t’iu afruar Bashkimit Evropian”, ka thënë Bottcher për Klankosova.tv.

Ai tha po ashtu se si Kosova ashtu edhe Serbia kanë pranuar “Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” dhe aneksin e zbatimit të saj në Ohër.

Prandaj, thotë ai, “marrëveshja dhe aneksi i saj janë të detyrueshme ndërkombëtarisht për të dyja palët dhe janë përfshira në kapitullin 35 të negociatave të pranimit të Serbisë”.

Gjermania, sipas tij, vazhdon të presë që të dyja palët të ndërmarrin hapat e nevojshëm drejt zbatimit të marrëveshjes në fjalë.

Për Planin Franko-Gjerman, kryeministri Albin Kurti, pati deklaruar në shkurt të vitit të kaluar se “e përmban njohjen de-facto” brenda.

“Nuk është i menduar si një propozim për marrëveshje finale. Por është një normalizim që ende nuk është normalizim i plotë, meqenëse parasheh, mund të themi, njohjen de facto. Njohjen de facto e kemi aty”, pati thënë Kurti, njofton Klankosova.tv.

Tutje, Kurti për Planin Franko-Gjerman pati thënë se Kosova e pati pranuar në parim, por sipas tij, duhej negociuar dhe më pas duhet shndërruar atë plan në marrëveshje, pasi pati thënë se “ka shumë gjëra ende të padefinuara”.

“Sidomos sa i përket garancive ndërkombëtare, mekanizmave implementues dhe sekuencimin kohor. Herën e parë kur na e kanë sjellë më datë 9 shtator, nuk ka qenë merre ose lëre. Ndërkaq më datën 20 janar, për shkak se kishin kaluar shumë kohë, për bindjen time pa nevojë, kemi mundur që të takohemi më shpesh, më herët, të bëjmë më shumë, ishte shumë afër merre ose lëre. Prandaj unë siç kam thënë edhe në shtator, e përsërita në janar, që është bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”, pati thënë Kurti.

Për Planin Franko-Gjerman pati folur edhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca, i cili ishte shprehur se “nuk është se pajtohemi 100% me atë plan dhe ne i kemi vërejtjet tona, por nëse ai është fruti, e ka një bërthamë, e bërthama është me e pranu sovranitetin e ndërsjellët Kosova me Serbinë”.

Në anën tjetër, Serbia qysh në nëntor të vitit 2022 pati shprehur kundërshti për Planin Franko-Gjerman.

Ishte ministri i Jashtëm i Serbisë aso kohe, Ivica Daçiq, i cili kishte thënë se bazat e Planit Franko-Gjerman për Serbinë janë të papranueshme, pasi sipas tij, plani fillimisht nis nga fakti që Kosova është e pavarur.

Ai po ashtu pati deklaruar se ai plan është i dhimbshëm për Serbinë, por edhe për Kosovën.

Pas kësaj, më 27 shkurt të vitit 2023, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, patën rënë dakord në Bruksel për Marrëveshjen Bazike që deri atë kohë njihej si Plani Franko-Gjerman, teksa më 18 mars, në Ohër palët patën rënë dakord për aneksin e zbatimit, që njihet si Aneksi i Ohrit.

Edhe pse nuk ishte nënshkruar, Bashkimi Evropian aso kohe pati thënë se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme dhe se obligime që dalin prej saj, janë pjesë integrale e rrugës evropiane për Kosovën dhe Serbinë.

Pikat kryesore të marrëveshjes dhe aneksi i zbatimit të saj

Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë parasheh, mes tjerash, respektimin e ndërsjellë të pavarësisë dhe integritetit territorial, njohjen e dokumenteve, diplomave, targave, si dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, sundimit të ligjit, shëndetësisë dhe të personave të zhdukur.

Serbia, gjithashtu, mori përsipër që të mos e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ndërsa Kosova pranoi që komunitetit serb t’i sigurojë një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit, përkatësisht themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Aneksi i zbatimit specifikon se të gjitha nenet e marrëveshjes duhet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, se Kosova dhe Serbia nuk do ta bllokojnë zbatimin e asnjë neni dhe se mosrespektimi i detyrimeve mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.

Palët, po ashtu, është dashur që brenda 30 ditësh të themelojnë një komision të përbashkët për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes, të kryesuar nga BE-ja.

Ndërsa më 18 prill të vitit 2023, Bashkimi Evropian, përkatësisht zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, pati njoftuar se është themeluar Komisioni i përbashkët për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

“Detyra e Komisionit të përbashkët është që të mbikëqyrë implementimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin e implementimit të saj. Ky është rezultat konkret dhe implementim konkret i asaj që ishte arritur para 30 ditësh, në takimin e nivelit të lartë, mes presidentit të Serbisë, Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Kurti“, pati thënë Stano.

Prej marrëveshjes së Ohrit, Kurti dhe Vuçiqi janë takuar edhe në disa raste tjera në kuadër të dialogut në Bruksel.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img