Site icon PrishtinaPress

Gjermanët nisin ta shohin ndryshe Vuçiqin dhe Serbinë, televizioni i afërt me presidentin e quan prostitutë ministren gjermane

“Përmasat e lidhjeve të ngushta mes regjimit të Moskës të Vladimir Putinit dhe qeverisë serbe të Aleksandar Vuçiqit mund të shihet në televizionet në Serbi”, shkruajnë mediat gjermane. Ndjenjat pro-ruse inkurajohen dhe Perëndimi shahet.

Programi i dytë i shërbimit publik gjerman ZDF publikon një tekst të titulluar “Lindje apo Perëndim: Ku po shkon Vuçiq?” Raporti i nënshkruar nga gazetarja Brita Hilpert fillon me një përshkrim të ceremonisë për përvjetorin e bombardimeve të NATO-s që u zhvillua në 24 mars në Sombor:

“Civilët vdiqën gjithashtu në sulmet ajrore të NATO-s 24 vjet më parë – ky ishte fokusi i ceremonisë shtetërore për shënimin e 24 vjetorit të fillimit të bombardimeve, të mbajtur të premten në mbrëmje në Sombor. Ishte ditë zie, por jo ditë përballje me atë që ndodhi. Për presidentin serb Aleksandar Vuçiq, është dita kur “e drejta ndërkombëtare vdiq përfundimisht”.

Asnjë fjalë për krimet e njësive serbe që ishin shkas për ndërhyrjen e NATO-s”, shkruan shërbimi publik gjerman. “Në vend të kësaj, (Vuçiq) thotë: “Keni gënjyer!” – duke iu referuar NATO-s.

ZDF transmeton edhe deklaratën e Florian Bieber nga Qendra për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Gracit, i cili kujton se “Vuçiq është në pushtet tash e dhjetë vjet”, por se në vitet e mëparshme kur ishte në pushtet “të tillë tonet ishin të paimagjinueshme”.

“Në atë kohë, shumica e popullsisë ishte në favor të anëtarësimit në BE, por që atëherë një qëndrim i fortë antiperëndimor është thelluar në mesin e popullatës”, beson Bieber.

ZDF thekson se këtë e vërteton edhe një studim i grupit analitik britanik “Henry Jackson Society”: sot vetëm rreth 38 për qind e qytetarëve janë pro anëtarësimit në BE dhe kur bëhet fjalë për anëtarësimin në NATO, mbështetja është edhe më e ulët.

Vuçiq i vendosur të qëndrojë “në udhëkryq”

Shërbimi publik gjerman vlerëson se fjalimi i Vuçiqit tregon gjithashtu se ai “përdor politikën e sharrës mes Lindjes dhe Perëndimit për të ruajtur pushtetin”. Florian Bieber e njeh këtë “një model që e ka vënë re tashmë me Viktor Orban në Hungari”, shkruan ZDF.

“Nuk mund ta lejojmë veten të përfshihemi në konflikte globale, duhet të marrim më të mirën për veten tonë”, kështu e përshkruan Bieber strategjinë e Vuçiqit.

I pyetur se sa e qëndrueshme mund të jetë marrëveshja me Kosovën, Bieber përgjigjet: “Aspak”, Vuçiq nuk ka gatishmëri reale për të zbatuar kompromise.

“Dhe cilat janë shanset që Serbia të anëtarësohet në BE? Ata nuk janë as të mëdhenj, sipas një eksperti për Evropën Juglindore – por edhe sepse pranimi do të kufizonte seriozisht fuqinë e Vuçiqit.”

“Vuçiq punon gjithmonë aq sa është absolutisht e nevojshme”, thotë Bieber. “Ai përfiton nga status quo-ja, nga interesa të ndryshme që mund t’i përdorë kundër njëri-tjetrit. Sanksionet kundër Rusisë, marrëveshja me Kosovën, anëtarësimi në BE, lufta… Sa më shumë faktorë të ketë, aq më i besueshëm është ecja e tij në litar në sytë e njerëzve”.

Në atë situatë, Vuçiq “nuk ka alternativë të besueshme” në shtëpi, thotë Bieber.

Në fund, ZDF përfundon: “Ministrja e Jashtme gjermane Analena Berbok mund ta shohë Serbinë ‘në një udhëkryq’, por presidenti Vuçiq është i vendosur të qëndrojë atje. Sepse kjo i jep atij fuqi”.

“Denigrimi i Perëndimit”

Shërbimi publik ZDF ka publikuar si pjesë të tekstit të tij një videoklip nga Serbia, i cili më pas është përshkruar në detaje nga portali Merkur.de, veçanërisht kur bëhet fjalë për situatën në mediat serbe: “Ndoshta shembulli më i spikatur është se Ministrja e Jashtme Gjermane Analena Berbok së fundmi në TV Happy, një televizion me shikueshmëri të lartë nw Serbi, u cilësua si ‘prostitutë profesioniste’.

Kjo, raporton Merkur, ka ndodhur mw 13 mars 2023.

“Ka një sërë shembujsh të tjerë të sharjes së Perëndimit”, u thotë lexuesve portali gjerman. “Për shembull, më 15 nëntor 2022, analisti Sasha Borojeviq deklaroi në TV Happy se Ukraina ka marrë rekordin e Hitlerit kur bëhet fjalë për djegien e librave.

Ose: “Më 25 janar 2023, regjisori Dragoslav Bokan deklaroi në RTV Pink se Perëndimi po bën një kryqëzatë kundër rusëve, ashtu siç bëri Hitleri në Luftën e Dytë Botërore”.

“Dhe çfarë i thotë presidenti gjithë kësaj? Në raportin e shërbimit publik ZDF, shihet se gazetari Hilpert ballafaqohet me Presidentin e Serbisë me deklaratën e emisionit të përmendur televiziv në konferencën për media. “Gënjeshtrat dhe lajmet e rreme nuk janë të mira, jam dakord me ju. Por është mirë t’i shikosh gjërat nga të gjitha këndvështrimet. Kjo shpesh nuk ndodh në demokracitë e mëdha”, tha Vuçiq.

Prandaj Merkur.de shtron pyetjen: “A është kjo një goditje tjetër për Berlinin?”

Dragan Gjilas për Standard: Fakte që tregojnë se çfarë është Serbia sot

Gazeta vjeneze Standard publikon një intervistë me një nga liderët e opozitës serbe, Dragan Gjilas. Shkak është bërë hulumtimi i disa mediave, mes tyre edhe Standardi, për aktivitetet e grupit izraelit “Tim Jorge”. Konkretisht bëhet fjalë për pretendimin se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka shfrytëzuar informacionin e atij grupi hakerash kundër Gjilasit në mars të vitit 2021./PrishtinaPress/

Exit mobile version