Site icon PrishtinaPress

Gjergjin nuk e duan as në Maqedoni, deputetët turq i ankohen Zaevit

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj, ka publikuar një dokument nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ku ai dekretohet si ambasador në Maqedoni.

Para se një gjë e tillë të ndodhte, Dedaj ishte kritikuar e linquar për disa postime të tij në rrjetin social, Facebook, ku hidhte paralele mes gjenocidit serb dhe Turqisë, shkruan lajmi.net.

“Edhe njehere: Turqia dhe Serbia,perplote 6 shekuj kane qene sundimtaret me te eger dhe pushtuesit me barbare e popullit shqiptare!
Ata kane bere krime dhe gjenocid ne keto troje.

Turqet dhe Serbet e tashem te Kosoves nuk duhet te ndjehen krenare per ate kohe”, shkruhej ndër të tjera në njërin prej postimeve të Gjergj Dedajt.

Menjëherë pas këtyre qëndrimeve të shprehura në Facebook, komuniteti dhe deputetët turk vërshuan me kritika dhe kërkesa shkarkimesh ndaj tij.

Madje ata i kishin dhënë ultimatum Qeverisë së Kosovës se nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, ata do të dalin nga koalicioni qeverisës.

Fikrim Damka, deputet turk në Kuvendin e Kosovës, ka thënë sot për lajmi.net se pas bisedës me kryeministrin Haradinaj, atyre u është bërë e qartë që Gjergj Dedaj nuk është më në pozitën e zëvendësministrit të Jashtëm.

Por, ai hedh dyshime edhe mbi dekretin e publikuar nga Gjergj Dedaj në Facebook.

“Ne kemi biseduar me kryeministrin, kryeministri ka thënë që ai më nuk është në pozitën e zëvendësministrit të jashtëm. Dje e morëm vesh prej Facebookut se Gjergj Dedaj e ka emëruar si ambasador në Maqedoni, mirëpo në fakt në atë letër mungon data e lëshimit të dekretit, pasi që nuk jemi të sigurtë a është dekreti komplet, a është fillui apo jo”, është shprehur Damka.

Damka tutje shprehet se deputetët turq nuk e duan Dedajn as për ambasador.

“Por shpresojmë se nesër do të sqarohet edhe kjo çështje prej presidentit. Ne kemi biseduar edhe me këshilltarët e presidentit, na i kemi dhanë edhe shqetësimet tona te presidenti, që të mos shkruhet si dekret për ambasador,  por sa e kemi pa që presidenti e ka nënshkru dekretin por megjithatë nuk jemi të sigurtë”, ka sqaruar Damka.

Mirëpo, ajo se çka e komplikon edhe më shumë këtë çështje, është se Gjergj Dedajn nuk po e duan si ambasador as në Maqedoni.

Fikrim Damka ka bërë të ditur që dy deputetë turq në Kuvendin e Maqedonisë, kanë diskutuar me kryeministrin, Zoran Zaev lidhur me këtë çështje.

“Bisedimet të cilat i kemi pasë me kolegët tanë në Maqedoni, dy deputetë të cilët përfaqësojnë dy parti turke në Kuvendin e Maqedonisë, të dytë janë duke kundërshtuar emërimin si ambasador . Ata, e di që kanë pasur bisedime edhe me  Zaevin, dhe me kabinetin qeveritar, mirëpo nuk kemi marrë informata se çka do të ndodhë, mirëpo presionin për presidentin ne do të vazhdojmë por ta shohim”, ka përfunduar Damka.

E pavarësisht insistimit disa ditor të lajmi.net për të kontaktuar me Gjergj Dedajn, ky i fundit nuk ka pranuar as të hapë telefonin lidhur me këtë çështje.

Exit mobile version