Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Dodë Gjergji, i ka dërguar një letër urimi Kryemyftiut Naim Tërnava për nder të festës së Fitër Bajramit, duke i thëne se do donte që të shkonte personalisht te ai për ta uruar atë dhe Bashkësinë Islame, por që siç tha, rrethanat e jashtëzakonshme të pandemisë nuk po ia lejojnë.
“Besoj shumë që besimtaret e të dyja besimeve tona janë bërë më të fortë në fe dhe e kanë kuptuar më mirë se sa shumë kemi nevojë për njëri-tjetrin”.
Letra e plotë:
“Fort i nderuar Kryemyfi ,
në këtë ditë feste do të doja të vija personalisht për të uruar Ju dhe bashkësinë Islame në Kosovë për festën e Fitër Bajramit, por mjerisht rrethanat e jashtëzakonshme të pandemisë Covid-19, edhe kësaj radhe nuk po e lejojnë këtë gjë.
Shpresoj shumë që kjo rrethanë e pazakontë të largohet, e së shpejti do të arrijmë t’i kthehemi jetës së rëndomtë, shërbimit të plotë dhe punës së përbashkët për të mirën e vendit tonë.
Edhe pse në rrethana të vështira , besoj shumë që besimtaret e besimtarët e të dyja besimeve tona janë bërë më të fortë në fe dhe kanë kuptuar më mirë se sa shumë kemi nevojë për njëri-tjetrin.
Festimi i Bajramit le t’Ju begatojë shpirtërisht e Zoti me mëshirën e Tij, të t’Ju pranojë sakrificën e agjërimit që e keni ushtruar gjatë muajit të Ramazanit.
Ju uroj që në këtë festë Ju dhe besimtarët Tuaj të jeni përplot dashuri, dhe të mbizotërojë ndër ne paqja, falja dhe pajtimi.
Me fat Fitër Bajrami!”