Gjeneza e krizës ekonomike në Kosovë është kriza juridike, ka thënë për Radio Kosovën, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu.
Sipas tij, pasuria e një shteti nuk është tek pasuritë natyrore, por tek sundimi i rendit e i ligjit.
Me gjithë përparimin në raportin e Bankës Botërore të të bërit biznes, Kosova është larg të dëshiruarës sa i përket trendëve ekonomikë, vlerëson kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu. Dhe gjeneza e kësaj krize ekonomike sipas tij është kriza juridike.
“Besoj që është koha kur duhet të kuptohet e vërteta, që Kosova ka krizë juridike dhe si pasojë e krizës juridike në mënyrë zinxhir lindin kriza e pasoja tjerë qoftë në arsim, qoftë në shëndetësi, qoftë në ekonomi apo kulturë.”
Ajo çka është më shqetësuese sipas tij është fakti se në 10 vjetshin e fundit potencohen thuajse të njëjtat sfida, të njëjtat probleme dhe ajo çka është më shqetësuese është që numri i këtyre sfidave, jo që është zvogëluar, por është rritur. “Dhe kjo e dëshmon më së miri se sa len gjurmë negative mos-sundimi i rendit e ligjit dhe kriza juridike. Dhe po të kemi sundim të rendit e ligjit me automatizëm të gjitha këto sfida kishin me qenë minore”.
Gërxhaliu thotë se emëruesi i përbashkët i daljes nga një situatë e tillë është vetëm sundimi i rendit e ligjit. “Shumëkush mendon se pasuria më e madhe e një shteti janë pasuritë natyrore. Pasuria më e madhe e një shteti është popullata e edukuar, e bazuar në ekspertizë në sundim të rendit e të ligjit”, tha ai.
Ankesa ndaj gjyqtarëve ka edhe shefi ekzekutiv i Kompanisë për Menaxhimin e Deponive Abdullah Haxhiu.
“Kam shumë vërejtje tek gjykatat, për shkak të neglizhencës ose për shkak të zvarritjes së procedurave”, theksoi Haxhiu
Ai tregon se kanë bërë shumë padi për shkak të mos-pagesës së borxheve nga ndërmarrjet publike, por zvarritja e lëndëve nga gjykatat pengon funksionimin normal të kompanisë.