Site icon PrishtinaPress

Gjendet i vrarë një 37-vjeçar skaj një rruge në Gjilan

Një person është gjetur i vdekur në rrugën “Mërgimtarët e Gjilanit” në Gjilan, derisa policia dyshon se është vrarë me armë zjarri.

Policia e Kosovës në një njoftim për media, ka bërë me dije se viktima është gjetur pa shenja jete skaj rrugës.

“Ju njoftoj se me datën 07.11.2024 rreth orës 13:52 kemi pranuar informacion se një person është i shtrirë skaj rrugës ”Mërgimtarët e Gjilanit” në qytetin e Gjilanit. Njësitet policore relevante kanë dalë me urgjencë në vendin e ngjarjes se bashku me një ekip nga emergjenca e spitalit të Gjilanit të cilët ka konstatuar se viktima është pa shenja jete.” – thuhet në njoftim.

Sipas hetimeve të para, viktima është e moshës 37 vjeçare.

“Nga hetimet e para dyshohet se viktima shtetas i Kosovës i vitit të lindjes 1987 është qëlluar nga armë zjarri.

Në koordinim me Prokurorin e Shtetit njësiti i hetimeve rajonale ka filluar hetimet në identifikimin e personave të dyshuar, ndriçimin dhe sqarimin e rrethanave të këtij rastit.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.” – thuhet mes tjerash.

Exit mobile version