Policia e Kosovës dhe Prokuroria po vazhdojnë aksionin edhe sot në Banjskë të Zveçanit.
Sot kanë arritur ta gjejnë edhe një veturë me armatim në Zveçan.
Këtë e ka konfirmuar Prokurori special i rastit të veriut, Naim Abazi.
“Po, mund të ju konfirmoj që tashmë është gjetur edhe një veturë me armatim”, ka thënë Abazi për KOHA.net.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, mbrëmë ka njoftuar 6 persona janë ndaluar për përfshirje në sulmin ndaj Policisë, dyshohen për vepra terroriste në Banjskë të Komunës së Zveçanit.
Sipas PSRK-së, të ndaluarit dyshohen për disa vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
“Prokuroria Speciale, gjithashtu njofton se gjatë aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës, janë ndaluar gjashtë (6) persona të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës, për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ nga neni 126 lidhur me ‘’Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’ nga neni 114, ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ nga neni 138 lidhur me nenin 129 dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.
Të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ka njoftuar PSRK-ja.
Më 24 shtator 2023 rreth orës 02:43 minuta, vendi u trondit nga një sulm i një grupi terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, kurse zyrtari policor Alban Rashiti u plagos dhe një tjetër u lëndua.