Site icon PrishtinaPress

Gjatë dhënies së mbrojtjes dhe në fjalën përfundimtare dy të akuzuarit mohojnë akuzat për korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Elez Gashi dhe Hasan Ibraj gjatë dhënies së mbrojtjes dhe fjalës përfundimtare në seancën e së martës, kanë mohuar akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

I akuzuari Gashi, në cilësi të udhëheqësit të shërbimit të transportit në NLP “Stacioni i Autobusëve” dhe i akuzuari Ibraj, në cilësi të shefit të Divizionit të Inspektoratit në Ministrinë e Transportit, ngarkohen se kanë keqpërdorur detyrën tyre zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht në këtë seancë ishte planifikuar dëgjimi i dëshmitarit Korab Visoka, por pasi dëshmitari nuk ishte paraqitur në seancë, me propozimin e prokurori Shkëlzen Ibrahimi dhe me pajtimin e palëve, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësja Medie Bytyqi vendosi që dëshmia e këtij dëshmitari të lexohet.

Pas kësaj, seanca ka vazhduar me administrimin e provave materiale dhe me dëgjimin e të akuzuarve, e krejt në fund është dhënë fjala përfundimtare nga palët në procedurë.

Gjatë dhënies së mbrojtjes, i akuzuari Gashi ka deklaruar se më 12 qershor 2014, “Lipjani” Sh.p.k  ka pasur rend të udhëtimit.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Ibrahimi, i akuzuari Gashi ka thënë se rendin e udhëtimit “Lipjanit” sh.p.k ia kishte dhënë Ministria e Transportit.

Gjithashtu, ai ka shtuar se para 12 qershorit 2014, kompania “Lipjani” sh.p.k ka pasur rend të udhëtimit, por që sipas tij Ministria e Transportit nuk ia kishte vazhduar këtë rend.

I pyetur nga prokurori Ibrahimi se a është kompetent t’i zbatojë urdhëresat e rendit të udhëtimit, i akuzuari Gashi e pohoi një gjë të tillë, por tha se e njëjta ka ardhë me vonesë, në muajin e gjashtë.

Ndërsa, në mbrojtjen e tij të dhënë para trupit gjykues, i akuzuari Ibraj ka deklaruar se më 12 qershor 2014 pasi ishte kontaktuar nga shefi i stacionit, kishte shkuar aty dhe kishte filluar procedurat ndaj “Lipjani” sh.p.k dhe pasi kishte konstatuar që nuk ka rend të udhëtimit, kishte filluar përpilimin e procesverbalit, me të cilin kishte urdhëruar këtë kompani të largohej nga peroni.

Pas kësaj i akuzuari Ibraj tha se i ishte mundësuar operatorit “Sharr Travel” të hyjë në peron, ku i ishte liruar vendi nga “Lipjani” sh.p.k.

Ai ka thënë gjithashtu se pasi kishte marrë librezën e qarkullimit nga operatori “Lipjani” sh.p.k, në ato momente ishin arrestuar nga policia dhe së bashku me të akuzuarin Gashi ishin dërguar në stacionin policor.

I akuzuari Ibraj ka shtuar se të gjitha veprimet i ka ndërmarrë konform legjislacionit në fuqi dhe se sipas tij rendi i udhëtimit të operatorit “Sharr Travel” nuk ka datë të udhëtimit.

Ai ka thënë se rendi i udhëtimit përpilohet nga operatori dhe se nuk mund të ketë asnjë ndryshim me rendin e vjetër e as që mund të tjetërsohet.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Florent Latifaj, i akuzuari Ibraj ka thënë se ka mundur të iniciohet edhe procedurë gjyqësore kundërvajtësve, por gjatë intervisitmit në polici sipas tij i kanë thënë se kjo kalon në çështje penale.

Ai ka thënë se i gjithë ky rast ka qenë i inskenuar.

“Ka qene një skenar prej njerëzve të fortë të shtetit”, tha i akuzuari Ibraj.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Ibrahimi, i akuzuari Ibraj ka deklaruar se atë ditë i kishin marrë të gjitha masat administrative të cilat janë parapara me ligj duke përfshirë: përpilimin e procesverbalit, largimin e automjetit dhe marrjen e librezës së qarkullimit.

Në fjalën përfundimtare, prokurori Ibrahimi ka deklaruar se është konsultuar me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi dhe se kanë ardhë në përfundim se është vërtetuar plotësisht gjendja faktike e përshkruar si në dispozitivin 1 të aktakuzës.

“Pas konsultimit me Kryeporokurin e Prokurorisë Themelore ne Prishtinë, Kujtim Munishi, kemi ardhë në përfundim se pas përfundimit të procedurës së administrimit të provave gjatë shqyrtimit të deritanishëm të shqyrtimit gjyqësor, u vërtetua plotësisht gjendja faktike e përshkruar si në dispozitivin 1 të aktakuzës me nr. PP.nr.658/14 të datës 28.7.2016, me të cilën janë akuzuar Elez Gashi dhe Hasan Ibraj, secili veç e veç kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 të KPRK”, tha prokurori Ibrahimi.

Sipas prokurorit Ibrahimi, kjo gjendje faktike u vërtetua edhe me dëgjimin e dëshmitarëve Fehmi e Ruzhdi Kurtishaj dhe deklaratës së Korab Visokës, e po ashtu kjo gjendje faktike sipas tij është vërtetuar edhe me provat materiale të administruara gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor.

Në fund, prokurori Ibrahimi ka thanë se gjatë shqyrtimit gjyqësor janë prezantuar prova të mjaftueshme për marrjen e një vendimi të drejtë për veprën penale për të cilën akuzohen tani të akuzuarit.

Ndërsa, i akuzuari Gashi në fjalën përfundimtare të tij ka thënë se çka është dashur të veprojë ka vepruar dhe se kërkon nga gjykata ta lirojë nga të gjitha akuzat, pasi është i pafajshëm.

“Unë çka është dashtë me bë kam bërë, andaj kërkoj nga gjykata të më liroj nga të gjitha akuzat sepse jam i pafajshëm” tha i akuzuari Gashi në fjalën e tij përfundimtare.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Ibraj, avokati Latifaj në fjalën përfundimtare ka thënë se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor me provat e administruara është vërtetuar pafajësia e të mbrojturit të tij.

Sipas tij, dispozita e nenit 422 të Kodit Penal thotë se për të ekzistuar vepra penale e keqpërdorimit të detyrës zyrtare dikush duhet të përfitojë ose të humb diçka, e sipas tij në rastin konkret nuk kemi as përfitim as humbje të dikujt.

Tutje, avokati Latifaj ka thënë se Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin ku linja e udhëtimit i ishte dhënë “Sharr Travel”.

Ai ka thënë se në rastin më të keq dy të akuzuarit do duhej të përgjigjeshin për zbatimin e një akti të kundërligjshëm që ka nxjerrë Ministria, ku në mënyrë të kundërligjshme sipas tij i ishte marrë linja “Lipjanit” Sh.p.k dhe i ishte dhënë “Sharr Travel”.

Në fund të fjalës përfundimtare, avokati Latifaj i ka propozuar trupit gjykues që në mungesë të provave dy të akuzuarit të lirohen pasi sipas tij të dy kanë kryer vetëm ato detyra që kanë pas në kompetencë.

Më pas, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Bytyqi shpalli të përfunduar seancën e shqyrtimit gjyqësor, ndërsa shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 24 dhjetor 2021.

Ky rast më parë gjykohej nga gjykatësi Kujtim Krasniqi, por pas avancimit të tij në Departamentin Special, lënda ka kaluar tek gjykatësja Medie Bytyqi.

Ndryshe, bashkë me të akuzuarit Gashi dhe Ibraj akuzoheshin edhe Fatmir Bajrami dhe Dardan Bajrami për vetëgjyqësi, mirëpo gjykatësi Kujtim Krasniqi, në seancën e 26 nëntorit 2020, kishte bërë të ditur se për veprën për të cilën akuzoheshin këta dy të pandehur ishte arritur parashkrimi, për çka gjykata ka marrë vendim të posaçëm sa i përket parashkrimit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, me aktakuzën e ngritur më 28 korrik 2016, pretendon se i akuzuari Elez Gashi, në cilësi të udhëheqësit të shërbimit të transportit në NLP “Stacioni i Autobusëve”, nuk ka mbikëqyrur zbatimin e rendeve të udhëtimit.

Aktakuza thotë se ai ka lejuar operatorin “Dardi Turizëm”, të të akuzuarit Fatmir Bajrami që më 12 qershor 2014, të hyjë në parkingun e këtij stacioni për ofrimin e shërbimeve edhe pse nuk ka pasur rendin e udhëtimit në ora 15:15 të regjistruar dhe vërtetuar nga MI-ja për transportin e udhëtarëve në linjën Prishtinë- Prizren-Prishtinë, të cilën linjë ka qenë duke e realizuar operatori “Sharr Travel”.

Ndërsa, i akuzuari Hasan Ibraj, akuzohet se në cilësi të shefit të Divizionit të Inspektoratit në Ministrinë e Transportit, nuk ka ndërmarrë masa të domosdoshme ligjore kundër këtij operatori.

Sipas akuzës edhe pse më 3 prill dhe 7 korrik të vitit 2013, Inspektorati i Ministrisë ka konstatuar me procesverbale se firma “Dardi Turizëm” ka vepruar pa rend udhëtimi, e nëse ka qenë e nevojshme ka mundur të kërkojë edhe ndihmë nga Policia e Kosovës, ai megjithatë në ditën e përshkruar më lartë nuk ka marrë masa ligjore ndaj kësaj firme.

Akti akuzues thotë se ai as nuk e ka ndaluar autobusin e saj për ta dërguar në vendim e caktuar, as nuk ka iniciuar procedurë përkatëse ligjore në gjykatat kompetente për shkak të kundërvajtjeve dhe shkeljeve administrative të vazhdueshme të kësaj firme në transportin rrugor.

Dy të akuzuarit ngarkohen nga prokuroria me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Nga ana tjetër, Fatmir Bajrami dhe Dardan Bajrami, akuzoheshin se me kanosje serioze kanë ushtruar të drejtën që kanë menduar se u takon, ku në vend se t’i drejtohen organit kompetent ashtu që duke pretenduar se nuk ekziston asnjë vendim i formës së prerë që ia ndalon veprimtarinë e transportit të udhëtarëve, së pari NN personi e ka ndalur veturën e firmës së Fatmir Bajramit para autobusit të “Sharr Travel” duke bllokuar daljen në parking te rampa.

Sipas aktakuzës, Fatmir Bajrami i është drejtuar ngasësit të automjetit, të dëmtuarit Safet Saraqi, me fjalët kërcënuese “Ti nuk guxon me e drejtu autobusin, ty të ka pru PDK me punu te Sharr Travel, për me mbajt këtë linjë”.

Kurse, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Dardan Bajrami, posa ka dalë nga vetura i është drejtuar me sharje drejtorit të firmës “Sharr Travel”, Ruzhdi Kurtishaj dhe pronarit Fehmi Kurtishaj.

Më pas, sipas aktakuzës, ka ndërhyrë policia duke larguar masën e grumbulluar të pasagjerëve dhe në këtë moment i dëmtuari Safet Saraqi ka nisur autobusin për në Prizren, por të njëjtin autobus e ka përcjellë autobusi i kompanisë “Dardi Turizëm”, deri në qendër të Shtimes ku thuhet se përsëri ia kanë bllokuar rrugën.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Dardan Bajrami përsëri ka vazhduar me sharje e fyerje, derisa në një moment i dëmtuari Saraqi duke kaluar mbi trotuar me autobusin e drejtuar ka tejkaluar këtë bllokadë dhe ka vazhduar rrugën për në Prizren. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Exit mobile version