Site icon PrishtinaPress

Gjarprin goditeni në kokë, Rezoluta nuk është e plotë

Nuk mjafton të thuhet që Kuvendi është institucioni që me dy të tretat i aprovon marrëveshjet ndërkombëtare. Këtë gjë e parasheh Kushtetuta. Rezoluta e Qeverisë duhet ta shtojë edhe një nen shumë më eksplicit. Pozita politike e Thacit kurrë nuk ka qënë më e dobët, mirëpo atij nuk duhet t’i jepet hapësirë e re manovruese.

Nuk është sekret që Presidenti Thaci, aktualisht, Kryeministrin Haradinaj e konsideron kundërshtar më serioz, se sa ta zëmë Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vucic. Këtë të fundit, madje, në forume ndërkombëtare e quan “miku im Aleksandër”. Është cështje ditësh ose javësh kur do ta quaj edhe me emra përkëdhelës, si bie fjala “miku im Leka”, ose “miku im Aca”.

Për Haradinajn, në anën tjetër, ka disa muaj që ka rezervuar vec thumba dhe tallje. Herë i thotë le të shkojë të luftojë, sepse kufiri me Serbinë është 400 kilometra, e njëherë tjetër i thotë që kur të shkojë në Mitrovicë le të tregojë transparencë, duke aluduar që po e takon njërin prej personaliteteve kontroverze të veriut, Milan Radojicicin. Mirëpo Thaci harron që shef i Milanit është Aca i tij, është Aca i Alpbahut, i Davosit dhe i takimeve te tjera sekrete.

Falë edhe shkrimeve të kësaj gazete, falë edhe reagimit të fuqishëm politik, strategjia për një “marrëveshje finale” me Serbinë, Thacit, i ka dalë nga kontrolli. Ai kishte shpresuar që duke e pasur Lutfi Hazirin në krahun e tij, duke e pasur në krahun e tij familjen Rugova, ai në një mënyrë ose në një tjetër, do të arrinte që ta mbante LDK’në nën kontroll. Kjo ëndërr i ka kolapsuar para disa muajsh, kur edhe pas një insistimi të lehtë amerikan Isa Mustafa i tha JO atij dhe ideve të krisura për këmbime territoriale, për zhvendosje popullatash, për zhbërje të të gjithë asaj që ishte ndërtuar në 30 vjet.

Mirëpo edhe përkundër përgjigjes negative të LDK’së, ose të shumicës së LDK’së, Thaci asnjëherë nuk hoqi dorë nga vandalizmi i tij politik dhe diplomatik. Pa kurrfarë mbështetje serioze në shtëpi, Thaci sillej, dhe sillet, nëpër botë sikur të ishte monark absolut i Kosovës. Presidenti i Kosovës e ka kuptuar në mënyrën më të ngushtë të mundshme thënien “shpresa vdes e fundit”. Ndonëse është politikani me mbështetjen më të vogël popullore, me një reputacion nën 20 për qind, ndonëse është politikani më polarizues në skenën politike, i ekskomunikuar nga opozita, ai meriton të lavdohet për këmbëngulësinë dhe instiktin për t’u kapur, qoftë edhe, për një gjethe.

Kështu, pasiqë e humbi opozitën, ai u kthye nga koalicioni qeverisës. Jo aq shumë për të marrë mbështetjen e tyre, sa për ta armiqësuar edhe koalicionin qeverisës me opozitën. Për Thacin është tepër më rëndësi që nëse ai është në luftë me opozitën, në luftë me të të jenë është koalicioni qeverisës. Njëra prej mënyra më efikase që ai i ka menduar për të nisur një luftë totale, ishte që edhe koalicioni qeverisës të cytej që të bëhej pjesë e negociatave, duke e formuar ata një ekip të tyrën për dialog. Thaci, në rrethana normale, nuk do të dëshironte që të ekzistonte edhe një ekip qeveritar, ai do të donte që të ishte i vetëm në këtë biznes, mirëpo në rrethana të një disfate të plotë politike, ose të një kompromisi të lehtë me qeverinë, ai e ka zgjedhur këtë të dytin, me shpresën që në rrugë e sipër e manipulon delegacionin qeveritar.

Shenjat e para të nervozës politike të Thacit janë polemikat e shumta që i bën me Haradinajn, ose edhe me opozitën, sa herë që ai e ka një mikrofon përpara hundve. Pastaj humori i tij, kinse batutat, janë në nivel të shkollës fillore. Izolimi i tij i gjatë me botën reale, i rrethuar me servil dhe poltron, e ka hendikepuar pariparueshëm të parin e vendit. E ka asocializuar atë në mënyrë të pandreqshme. Kjo gjë më së miri vërehet te humori i tij. Per të njëjtat arsye me të, asnjë diktator, asnjë autokrat, nuk e ka të theksuar sensin e humorit. Më shumë shquhen për hakmarrje, dhunë, shantazh dhe zhvatje, e jo për tolerancë, për vetëtallje. Madje janë satira dhe humori viktimat e para të të gjithë atyre liderëve që janë në rrugë e sipër për ta nënshtruar popullin e tyre.

Nuk po them që Thaci ka shkuar kaq larg. Mirëpo nuk po them që Thaci nuk do të donte të shkonte kaq larg. Kosova edhe më tutje nuk ta ofron këtë mundësi. Spektri i mediave këtu është shumëngjyrësh. Ka të tilla që nënshtrohen, ka të tilla që nuk nënshtrohen. Ka të tilla që nënshtrohen për arsye financiare, e disa të tjera për arsye bindjeje. E rëndësishme është që kjo fushë në Kosovë është edhe më tutje më e avancuar se sa mesatarja e shteteve të Ballkanit. Madje edhe skena politike është – kjo shpesh është edhe gjë e keqe – shumë më e fragmentarizuar. Nuk ekziston një epiqendër aq e fortë sa ta kontrolloj shumicën e partive politike. Thaci në këtë drejtim e ka krijuar një epërsi, në momentin që e ka lëshuar PDK’në. Në këtë mënyrë ai e ka një dorë në qeveri, përmes partisë së tij, dhe të dyja duart në Presidencë. Nëse deri dje e kontrollonte vetëm njërin segment të shtetit, ai tash i kontrollon, ose bën përpjekje, që t’i kontrollojë të dyjat. Shpeshherë më sukses. Ajo cfarë i ka dalë nga kontrolli është ndarja e Kosovës. Haradinaj, edhe pse ngusht me numra, për këtë cështje është treguar i pakompromis. Kurse Thaci, kur i thuhet JO për një temë, frustrohet sikur një fëmijë që i merret lodra nga dora. Ai i don të gjithë, në cdo kohë. Nëse kjo nuk është e mundur atëherë ai vjen e shndërrohet në një lojtar destruktiv. Mund të themi edhe kamikaz. Pika e dobët e Thacit është që nuk është në gjendje që ta kalkulojë dëmin që ai do të ia shkaktojë vetës, kur fillon e bëhet irracional. Prandaj, shpesheherë, gjëja më e mirë e kundërshtarëve të tij politik është që ta nxisin në veprime. Thaci është shumë më i rrezikshëm me mosveprim se sa me veprim. Ai sa herë ka nisur dicka, e ka dreqosur. Nuk ka arritur ta bëjë ushtrinë, nuk ka arritur ta shuaj Gjykatën Speciale, e gjasat janë që nuk po arrinë që ta ndajë as Kosovën.

Për këto dhe shumë arsye të tjera, Haradinaj, dhe cdokush tjetër që detyrohet të angazhohet me Thacin në veprime shtetërore të përbashkëta, duhet të ketë shumë kujdes në cdo hap që e bën. I tillë duhet të jetë kujdesi edhe me rastin hartimit të rezolutës së fundit, që partitë politike të koalicionit qeverisës pritet ta çojnë në Kuvend për aprovim. Teksti i rezolutës parimisht nuk është problematik, mirëpo është i mangët. Disa pjesë të rezolutës madje janë të kota. E tillë është pika e gjashtë e saj, në të cilët thuhet se Kuvendi me 2/3 e votave të deputetëve ratifikon marrëveshje ndërkombëtare për cështjen e territorit, për paqën, dhe për cështje të tilla të kësaj natyre. Ky nen i kësaj rezolute e konstaton një gjë që ëstë e ditur. Kushtetuta është mjaft e qartë në këtë drejtim. Ne të gjithë e kemi ditur që Presidenti nuk ka fuqi për të këmbyer territore. Ajo cfarë duhet të bëjë kjo rezolutë është që t’ia ndalojë bartësve të funksioneve shtetërore që të marrin pjesë në cfarëdo bisedash që implikojnë tema të tilla, si këmbimi i territoreve, ndarja dhe coptimi etj. Nuk është e thënë që në këtë rezolutë duhet të shkruhet në mënyrë eksplicite që i ndalohet Presidentit një gjë e tillë. Një gjë e tillë duhet t’i ndalohet cdokujt dhe cdoherë, nëse paraprakisht nuk është e aprovuar në Kuvendin e Kosovës. Një gjë e tillë, një nen i tillë i rezolutës, do ta bënte përgjegjës Thacin sa herë që në të ardhmën do të lëshohej në analiza abuzive për lëvizje të kufijve. Roli i opozitës në këtë rrafsh do të mund të ishte mjaft i madh. Në vend që të refuzojnë cdo gjë, ata duhet të marrin pjesë në këtë proces, për ta lidhur dhe izoluar Presidentin Thaci.

Exit mobile version