Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se janë arrestuar të dyshuarit me iniciale F.B dhe J.D, të dyshuar për kryerjen e veprës penale, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
Me datë 06.04.2023, rreth orës 20:00/h në rrugën Ponoshec-Gjakovë, të pandehurit F.B dhe J.D, në bashkëkryerje pa autorizim dhe me qëllim të shitjes dhe shpërndarjes transportojnë, substance apo preparate të cilat janë të shpallura me ligj si narkotikë, substance analoge, në atë mënyrë që të pandehurit me veturën e tipit Mercedes Benz me tabela të Republikës së Shqipërisë, janë nisur në drejtim të Kosovës.
Në hyrje të qytetit në lagjen Brekoc është ndaluar vetura e të dyshuarve nga ana e zyrtarëve policorë dhe pas kontrollit janë gjetur 10 qese najloni të mbushura me substance narkotike që dyshohet të jetë e llojit marihuana në peshë prej 5 kg e 686 gram, e cila është sekuestruar nga zyrtarët policor.
“Me urdhër të prokurorit të pandehurit janë ndaluar për 48 orë, dhe brenda afatit të paraparë ligjor është paraqitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, kundër të pandehurve të lartcekur, për shkak të veprës penale, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge në bashkëkryerje nga neni 267 par.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.