Dhuna në familjet kosovare është një dukuri shumë shqetësuese. Vajzat dhe gratë janë viktimat më të shpeshta, të cilat përjetojnë dhunë qoftë nga partnerët apo edhe anëtarët e tjerë të familjes.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe të mërkurën në Gjakovë, ku u arrestua një 30-vjeçar nën dyshimet për dhunë ndaj të dashurës.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që përfundoi në prangat e Policisë është Xh. Hoza, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Sipas informacioneve të para, ai po dyshohet se derisa ishte bashkë me të dashurën, në rrugën “Gjon Nikollë Kazazi”, e ka sulmuar fizikisht atë, duke e grushtuar në fytyrë.
Si pasojë e lëndimeve, viktima është dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Gjakovë, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në Polici.
Pas dhënies së deklaratave është kuptuar se motiv i rastit dyshohet të ketë qenë xhelozia e të dyshuarit ndaj te dashurës së tij.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën “Lëndim i lehtë trupor”.